Takimi Kurti–Abdixhiku, analistët shohin mundësi për zhbllokimin e institucioneve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen sot në orën 18:00, në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Të lidhura

None found

Biseda zhvillohet në një moment delikat për vendin, pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit, ndërsa partitë politike po përpiqen të gjejnë një rrugëdalje për krijimin e institucioneve të reja.

Temat kryesore pritet të lidhen me mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike dhe me hapat që mund të ndërmerren për kapërcimin e bllokadës institucionale.

Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut konsiderohet një provë për vullnetin e palëve për të arritur marrëveshje politike, në një kohë kur funksionalizimi i institucioneve mbetet sfida më e rëndësishme.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë ftuar në diskutime, por qëndrimet e tyre kanë qenë të ndryshme. PDK-ja e ka refuzuar pjesëmarrjen, duke bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. Në anën tjetër, AAK-ja ka rikthyer ofertën e saj prej gjashtë pikash, pjesë e së cilës është edhe zgjedhja e presidentit të ri, duke shprehur gatishmëri për dialog politik.

Drenori: Takimi mund të sjellë hapat e parë për një bashkëpunim të ri rreth zgjedhjes së presidentit

Analisti Xhavit Drenori ka deklaruar për “Bota sot” se takimi i sotëm mund të prodhojë lëvizje konkrete për kapërcimin e krizës politike, veçanërisht sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Sipas tij, qëndrimet e shprehura nga Lumir Abdixhiku pas votëbesimit në LDK dëshmojnë se ai është i gatshëm të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit institucional. Megjithatë, ende nuk dihet nëse një bashkëpunim i tillë do të zgjerohet edhe në nivelin e qeverisjes.

“Shpresoj që takimi i sotëm të sjellë rezultatet e para, edhe nëse nuk arrihet menjëherë një zgjidhje përfundimtare, për tejkalimin e ngërçit politik dhe për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re.

Image

Kjo pritshmëri lidhet me faktin se Abdixhiku, pasi mori me sukses votëbesimin brenda LDK-së, deklaroi se ‘është i çmendur ai që kërkon zgjedhje të reja përsëri’. Një qëndrim i tillë mund të shihet si sinjal se ai është i gatshëm të kontribuojë në zgjidhjen e situatës institucionale.

Tash duhet parë nëse do të ketë një angazhim më të gjerë, përfshirë pjesëmarrjen e LDK-së në qeveri dhe në institucionet e tjera, apo nëse marrëveshja do të kufizohet vetëm te zgjedhja e presidentit. Sidoqoftë, tashmë vërehen shenja se kjo situatë mund të kapërcehet”, ka thënë Drenori.

Drenori ka nënvizuar se, pas përsëritjes së zgjedhjeve, partitë politike kanë përgjegjësi të kontribuojnë për zgjidhjen e bllokadës institucionale.

Ai e konsideron zgjedhjen e presidentit çështjen kyçe për tejkalimin e krizës dhe për rikthimin e funksionalitetit të institucioneve.

“Pas përsëritjes së zgjedhjeve tri herë brenda këtyre dy viteve, me rezultate pothuajse të njëjta, subjektet politike, sidomos PDK dhe LDK, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe të ndihmojnë në zgjedhjen e presidentit ose presidentes. Nëse është e mundur, kjo figurë duhet të jetë sa më pak e lidhur me politikën dhe të vijë nga shoqëria civile, në harmoni me mesazhin që qytetarët kanë përcjellë përmes votës.

Nëse subjekti fitues arrin t’i sigurojë 61 vota për krijimin e institucioneve, duhet t’i jepet mundësia të qeverisë. Ndërkohë, partitë e tjera duhet ta përdorin kohën për të vepruar si opozitë dhe për të ndërmarrë reforma të brendshme.

Pikërisht për këtë arsye, LDK-ja po shfaqet më e arsyeshme në këtë drejtim. Shpresoj që sonte të shihen rezultatet e para dhe të hapet një rrugë e re bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit, pasi aty qëndron aktualisht nyja e krizës politike”, ka deklaruar ai për gazetën.

Makolli: Abdixhiku ka sinjalizuar gatishmëri për marrëveshje që do ta nxirrte vendin nga vakumi institucional

Analisti politik Vesel Makolli ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës institucionale po dëmton pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa po i krijon Serbisë mundësi për të përfituar politikisht.

Në një prononcim për “Bota sot”, ai ka thënë se LDK-ja duhet të përfshihet në mënyrë aktive në zgjidhjen e krizës dhe të arrijë një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për zhbllokimin e institucioneve dhe funksionimin normal të shtetit.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur. Bllokimi i institucioneve po vazhdon prej gati dy vitesh. Përgjatë kësaj kohe kanë mbetur të pezulluara marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat monitorohen nga faktorë relevantë ndërkombëtarë dhe lidhen drejtpërdrejt me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me fqinjin verior. Kjo ka ndikuar në mënyrë negative në kredibilitetin dhe rejtingun ndërkombëtar të Kosovës.

Image

Njëkohësisht, dobësia institucionale dhe shmangia e zbatimit të obligimeve ndërkombëtare nga institucionet e Kosovës po përdoren nga regjimi serb për të përmirësuar pozicionin dhe imazhin e tij në skenën ndërkombëtare.

Si partia me traditën më të gjatë demokratike në Kosovë, LDK-ja ka përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e kulturës demokratike dhe shtetformuese. Për këtë arsye, ajo duhet të angazhohet aktivisht në tejkalimin e krizës institucionale dhe të kontribuojë në një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila do të mundësonte zhbllokimin e institucioneve dhe funksionimin normal të shtetit”, ka thënë Makolli.

Makolli ka shtuar se Abdixhiku ka dhënë sinjale për gatishmëri që të shqyrtojë një marrëveshje për kapërcimin e krizës politike. Sipas tij, një pengesë për LDK-në mund të jetë mungesa e unitetit brenda Grupit Parlamentar.

“Pas rizgjedhjes dhe marrjes së besimit nga Kuvendi i partisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të shqyrtojë një marrëveshje që do ta nxirrte vendin nga vakumi institucional. Edhe për Presidenten Vjosa Osmani, një zgjidhje me Lëvizjen Vetëvendosje do të kishte rëndësi jetike për të ardhmen e saj politike.

Për LDK-në, megjithatë, problemi kryesor mbetet mungesa e homogjenitetit në Grupin Parlamentar. Diferencat në qëndrimet e deputetëve të zgjedhur mund ta bëjnë më të vështirë arritjen e konsensusit të brendshëm për një marrëveshje të mundshme me VV-në, edhe në rast se udhëheqja e partisë e ka vullnetin për një të tillë”, është shprehur Makolli.

Analisti ka përfunduar se realizimi i një marrëveshjeje do të varet nga gatishmëria e VV-së për kompromis dhe nga uniteti i LDK-së. Nëse këto kushte nuk përmbushen, sipas tij, nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“VV-ja, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka 63 deputetë. Nëse kryetari i LDK-së do ta kishte mbështetjen e plotë të të 18 deputetëve të Grupit Parlamentar të partisë së tij, do të krijohej mundësia për një shumicë prej 83 deputetësh. Një shumicë e tillë do t’i sillte vendit stabilitet institucional dhe do ta shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja, me gjithë koston politike, ekonomike dhe kohore që ato do të kishin.

Thënë shkurt, marrëveshja kushtëzohet nga dy elemente kryesore: vullneti i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për kompromis dhe uniteti i Grupit Parlamentar të LDK-së në mbështetje të një zgjidhjeje që do ta mbyllte krizën institucionale.

Tani përgjegjësia është në fushën e VV-së. Nëse VV-ja vazhdon të kërkojë mbajtjen e të tria institucioneve kryesore të pushtetit – Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës – gjasat për marrëveshje do të ulen ndjeshëm. Në një rrethanë të tillë, zgjedhjet e jashtëzakonshme në vjeshtën e vonë nuk mund të përjashtohen, çka do ta zgjaste edhe më shumë krizën institucionale dhe pasigurinë politike në vend”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.


Shtuar 5.08.2026 17:05

holiganbetİmajbet girişHoliganbetHoliganbetHoliganbetGrandpashabetturboslothızlıcasinohızlıcasinohızlıcasinoturboslotzenbetHoliganbetjojobetnakitbahiscasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortcasibom girişAnkara escortcasibomjojobetJojobet GirişJojobet Giriş