Albulena Haxhiu, u.d. presidentja e Kosovës, ka reaguar ndaj rezultateve të analizave të publikuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për produktet e qumështit. Sipas saj, gjetjet dëshmojnë shkelje të rënda, ndërsa për sigurinë ushqimore nuk mund të ketë kompromis.
Të lidhura
None found
Haxhiu bëri të ditur se analizat kanë evidentuar praninë e padeklaruar në etiketa të qumështit pluhur, vajit të palmës dhe hirrës. Ajo theksoi gjithashtu se gjatë prodhimit është përdorur ujë i paraparë për ujitje.
Sipas saj, çështja nuk mund të trajtohet më si problem teknik. Haxhiu tha se qytetari mashtrohet kur paguan për qumësht, por merr një produkt tjetër, ndërsa përdorimi i ujit të papërshtatshëm në prodhimin ushqimor e zhvendos problemin nga etiketimi te rrezikimi i shëndetit publik.
Ajo vlerësoi se situata rëndohet edhe më shumë nga fakti që industria e qumështit merr subvencione dhe përkrahje financiare shtetërore.
Haxhiu deklaroi se fondet që shteti mbledh nga qytetarët nuk mund të përdoren për të mbështetur një industri që më pas u shet atyre produkte të cilat nuk përputhen me përshkrimin në etiketë dhe mund t’ua rrezikojnë shëndetin. Për këtë arsye, sipas saj, llogaridhënia është e domosdoshme.
U.d. presidentja tha se nga këto praktika pësojnë edhe fermerët, të cilët dorëzojnë qumësht pa përbërës shtesë dhe presin për një kohë të gjatë që të paguhen, ndërkohë që në produkt puna e tyre zëvendësohet me përbërës më të lirë.
Ajo e përmblodhi këtë situatë duke thënë se emri i fermerit vazhdon të figurojë në etiketë, por kontributi dhe puna e tij nuk gjenden më në produkt.
Haxhiu kërkoi ndërhyrje të menjëhershme kundër operatorëve përgjegjës për shkeljet. Masat, sipas saj, duhet të përfshijnë largimin e produkteve nga tregu dhe pezullimin e aktivitetit të subjekteve që veprojnë pa autorizim.
Ajo theksoi se çdo produkt ku janë konstatuar shkelje kritike duhet të tërhiqet nga shitja, ndërsa aktiviteti i paautorizuar duhet të suspendohet pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Në rast se konstatohen elemente të veprës penale, Haxhiu kërkoi që rasti t’i referohet prokurorisë.
Kontrollet, sipas saj, nuk duhet të përqendrohen vetëm te sektori i qumështit, por duhet të zgjerohen edhe në fusha të tjera të industrisë ushqimore.
Në përfundim, Haxhiu tha se qytetarët nuk duhet të detyrohen të hamendësojnë për përmbajtjen e gotës apo pjatës së tyre, por duhet të konsumojnë pikërisht ushqimin dhe pijen për të cilat kanë paguar.
