Boksieri afgan Sharif Ahmadzai, 26 vjeç, u paraqit këtë të mërkurë në gjykatën e Athinës, ku përballet me akuzën për vrasjen e shtetases britanike Elisabeth-Jane Ross, 38 vjeç. Sipas dyshimeve të autoriteteve, ai e vendosi trupin e saj në një valixhe dhe më pas e la në një ndërtesë të pabanuar.
Të lidhura
None found
Përveç vrasjes, prokuroria greke e akuzon Ahmadzain edhe për përvetësimin e mijëra eurove nga llogaritë bankare të viktimës.
I shoqëruar nga dy policë të armatosur, 26-vjeçari shkoi në kompleksin gjyqësor të Evelpidonit, ku duhej të paraqiste qëndrimin e tij lidhur me ngjarjen.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, Ahmadzai kishte thënë se e gjeti Ross-in pa shenja jete në banesën e saj. Ai pretendoi se më pas e futi trupin në një valixhe, e lëvizi nëpër zonën e Kypselit në Athinë dhe e braktisi në një godinë të pabanuar.
Mbrojtësi i tij, Christos Erdas, kërkoi që seanca të shtyhej, me argumentin se materialet e dorëzuara nga prokuroria nuk ishin të plota. Pas kërkesës, gjykata caktoi që Ahmadzai të rikthehet të enjten, në orën 11:00.
Mediat britanike raportojnë se 26-vjeçari shkoi në Greqi në vitin 2016, pasi kishte kaluar në Pakistan, Iran dhe Turqi. Ai kishte deklaruar se talebanët i kishin vrarë familjen.
Gjatë qëndrimit në kampin e emigrantëve në Moria, Ahmadzai njohu Alaina Hall, një shtetase amerikane nga Xhorxhia, e cila shërbente si vullnetare. Në vitin 2017 ai u konvertua në fenë e krishterë, ndërsa çifti u martua në prill të vitit 2023.
Ahmadzai dhe Hall krijuan së bashku organizatën Love Every Nation, që merrej me ofrimin e ndihmës për refugjatët në Athinë. Në prill të këtij viti, ata u bënë prindër.
26-vjeçari ushtronte profesionin e boksierit dhe në muajin mars fitoi titullin grek në kategorinë super të lehtë. Ai zhvillonte gjithashtu kurse boksi, përmes të cilave mblidhte fonde për organizatën.
Hetimet kanë zbuluar se Elisabeth-Jane Ross e njihte çiftin përmes veprimtarisë së organizatës. Ajo po qëndronte në një apartament të lidhur me OJQ-në, ku dyshohet se Ahmadzai dhe bashkëshortja e tij kishin akses.
