Kirill Basin, kandidat demokrat për Kongresin amerikan, ka përfunduar në pranga pas një konflikti të dhunshëm në një plazh të Havait, ku dyshohet se kërcënoi disa persona dhe nxori një thikë.
Të lidhura
None found
Përplasja u regjistrua në plazhin Keawakapu, në Kihei të Jugut, pasi një 61-vjeçar i kërkoi Basin të ulte volumin e muzikës. Sipas autoriteteve, politikani 40-vjeçar u përfshi më pas në debat me disa persona të pranishëm në plazh.
Situata mori përmasa më serioze kur Basin iu afrua grupit dhe nisi të bënte deklarata kërcënuese. Dëshmitarët kanë deklaruar se në një moment ai u tha: “Nëse doni të përfundoni në spital, ejani këtu”.
Debati u shndërrua më pas në konflikt fizik. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, kandidati shihet teksa goditet dhe rrëzohet në tokë. Pasi u ngrit, ai iu afrua sërish personit tjetër, por përleshja nuk vijoi.
Dëshmitarët thanë se gjatë incidentit Basin pretendoi se kishte armë. Më vonë, ai dyshohet se nxori një thikë dhe e hodhi në det, ndërsa policia e gjeti armën në vendin e ngjarjes.
Oficerët e arrestuan Basin me akuzën e kërcënimit terrorist të shkallës së parë. Për lirimin e tij me kusht, gjykata vendosi një garanci prej 1 milion dollarësh.
Kirill Basin kandidon në Distriktin e Dytë Kongresor të Havait, ku përballet me përfaqësuesen aktuale demokrate Jill Tokuda.
