Nenad Rashiq, kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, nuk beson se seanca konstituive e 06.08.2026 do të shoqërohet me votimin e Qeverisë së re.
Të lidhura
None found
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim bëri të ditur se vetëm pas përmbylljes së procesit konstituiv mund të hapen diskutimet për krijimin e ekzekutivit të ardhshëm. Në këtë kuadër, ai nuk e përjashtoi as një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Deri tani nuk jemi takuar, por besoj se do të takohemi gjatë këtyre ditëve. Siç e dini, nesër do të merremi vetëm me konstituimin e Kuvendit dhe nuk do të hyjmë në negociata apo marrëveshje të tjera. Pres që pas ditës së nesërme të takohemi dhe të bisedojmë për mundësinë e një angazhimi në Qeverinë e re, kurdo që kjo të bëhet e mundur”, tha Rashiq.
Ai theksoi se, bazuar në informacionin dhe vlerësimin e tij, gjatë ditës së nesërme nuk pritet të hidhet në votim përbërja e Qeverisë.
“Sa kam dijeni, nesër nuk është paraparë seancë për formimin e Qeverisë së re. Vlerësimi im është se qeveria nuk do të votohet nesër. Ky është mendimi im personal”, deklaroi Rashiq.
