LSDM-ja opozitare pretendon se Qeveria ka siguruar ujë të pijshëm për banorët e Gostivarit përmes një marrëveshjeje me vlerë 100 mijë euro, të realizuar me procedurë negocimi pa shpallje publike. Sipas partisë, në kohën kur qytetarët po përballeshin me pasoja shëndetësore nga uji i kontaminuar, ekzekutivi ka kryer një “biznes marrëveshje pa tender”.
Të lidhura
None found
Sipas akuzave të LSDM-së, kontrata është lidhur me kompaninë “Kozhuvçanka”, pronë e kryetarit të Komunës së Kavadarit, ndërsa procedura është udhëhequr nga drejtori i SHÇPP-së, Ivica Tomovski.
Qeveria i ka mohuar këto pretendime, duke i përshkruar ato si “dezinformata të plota”.
“Bëhet fjalë për gënjeshtra të pacipa dhe të pandershme. Në mungesë të temave reale dhe argumenteve, LSDM-ja sërish përdor gënjeshtra dhe shtrembërim të fakteve”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Ekzekutivi sqaron se, për shkak të situatës së krizës, procedura e negociimit është zhvilluar nga Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ndërsa uji u shpërndahet pa pagesë qytetarëve të Gostivarit.
“Është e saktë se procedurën e negociimit e ka zbatuar SHÇPP-ja dhe se uji sigurohet falas për qytetarët. Kompania ‘Kozhuvçanka’ e ka fituar kontratën përmes procedurës së furnizimit”, sqarojnë nga Qeveria.
Në reagim theksohet se çdo shishe uji prej 1.5 litrash është blerë për 12.5 denarë, ndërkohë që, sipas Qeverisë, çmimi i saj në shitjen me pakicë është të paktën 25 denarë. Kompania, siç bëhet e ditur, ka dhënë edhe kontributin e saj për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve gjatë krizës.
Furnizimi me ujë të ambalazhuar, sipas Qeverisë, do të vijojë deri në momentin kur institucionet përgjegjëse të vërtetojnë se uji nga rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit mund të përdoret në mënyrë të sigurt.
