Dy shtetas të tjerë nga Maqedonia e Veriut, Valon Belja dhe Bekir Halimi, janë shpallur “non grata” nga Ministria e Brendshme për veprimtari të dyshimta kundër shtetit shqiptar.
Të lidhura
None found
I kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Bekir Halimi deklaroi se ende nuk ka marrë një konfirmim zyrtar për këtë informacion. Ai tha se do të kërkojë verifikimin e tij nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Halimi bëri të ditur gjithashtu se është duke pritur marrjen e shtetësisë shqiptare. Sipas tij, deri në përfundimin e këtij procesi, ai mbetet subjekt vetëm i legjislacionit të shtetit të tij.
Gazetarja Hoxha iu drejtua Halimit duke u prezantuar si Anila Hoxha, gazetare e Top Channel në Shqipëri, dhe i kërkoi një reagim lidhur me shpalljen “non grata”. Ajo e pyeti nëse ishte njoftuar për arsyet e këtij vendimi dhe nëse kishte ndërmend ta kundërshtonte.
Në përgjigjen e tij, Halimi theksoi fillimisht se lajmin nuk e kishte verifikuar ende në rrugë zyrtare dhe se do ta konfirmonte përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Ai tregoi se angazhimi i tij më i fundit në Shqipëri kishte qenë bashkëpunimi me Qarkun e Shkodrës, në kuadër të kësaj qeverie, për organizimin e një aktiviteti që synonte promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Halimi tha se, falë kontributit, meritave dhe ndikimit të tyre në këtë projekt, presin që së shpejti t’u jepet shtetësia shqiptare.
Deri atëherë, sipas tij, ai u nënshtrohet vetëm ligjeve të shtetit të vet. Për këtë arsye, sqaroi Halimi, çështjen po e shqyrton fillimisht duke komunikuar me ambasadën e vendit të tij në Tiranë.
Hoxha deklaroi se gjatë jetës dhe karrierës së tij nuk ka qenë dhe nuk është i lidhur me asnjë organizatë apo organizim, brenda ose jashtë vendit. Ai e cilësoi këtë si një vendim të ndërgjegjshëm, pasi ka dashur që angazhimi i tij i vetëm të mbetet pjesëmarrja në dy luftërat çlirimtare të UÇK-së, në Kosovë dhe në Maqedoni, gjatë periudhës 1998–2001.
Halimi shtoi se ka qenë gjithmonë pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, të cilën e konsideron institucionin e vetëm që e përfaqëson. Brenda saj, ai tha se ka përmbushur dhe vijon të përmbushë të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë e veta, si besimtar dhe si hoxhë.
Në vijim, Halimi u shpreh se do të vazhdojë misionin e tij si hoxhë, sipas mënyrës së veprimit të të gjithë pejgamberëve, duke i ftuar njerëzit drejt teuhidit, ose monoteizmit, dhe duke kundërshtuar çdo dukuri negative që shkakton pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë.
Ai tha se, të udhëhequr nga dashuria dhe përkujdesja për popullin e tyre, do të vijojnë ta ngrenë zërin për këto çështje, pasi këtë e shohin si detyrim fetar, moral dhe shoqëror.
/Top Channel/
