Autoritetet britanike po vlerësojnë nëse duhet të nisin një hetim publik për veprimtarinë që financieri Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, ka zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Të lidhura
None found
Ministrja për Viktimat, Alex Davies-Jones, e konfirmoi këtë mundësi gjatë një interviste të dhënë për BBC Newsnight.
Ajo deklaroi se kryeministri Andy Burnham ka pranuar të zhvillojë një takim me ‘viktimat’ e Epstein. Sipas ministres, Burnham po analizon masat që mund të ndërmerren, pasi në cilësinë e kreut të qeverisë tashmë disponon të gjithë informacionin.
Davies-Jones njoftoi gjithashtu se po diskutohet përfshirja në të njëjtin hetim e pretendimeve kundër ish-pronarit të Harrods, Mohamed Al Fayed, të cilin dhjetëra gra e kanë akuzuar për abuzime seksuale.
Ministrja ishte larguar më herët nga qeveria, duke akuzuar drejtuesit se nuk kishin marrë parasysh zërin e të mbijetuarve të Epstein. Tani, ajo tha se Burnham i ka dhënë garanci se kjo çështje do të shqyrtohet seriozisht.
BBC-ja raportoi se, përpara marrjes së detyrës së kryeministrit nga Burnham, aktivistë të Partisë Laburiste i kishin paraqitur atij një dokument. Në të kërkohej hapja e një hetimi të gjerë publik për aktivitetet e Epstein në Britani, akuzat ndaj Mohamed Al Fayed dhe pretendimet për dhunë seksuale që përfshijnë bashkëpronarin e West Ham, David Sullivan. Sullivan i ka hedhur poshtë kategorikisht këto akuza.
Mundësinë e zhvillimit të një hetimi e përshëndeti edhe Anouska di Georgiou, një nga të mbijetuarat e Jeffrey Epstein. Megjithatë, ajo nënvizoi se viktimave u duhen masa konkrete dhe jo vetëm zotime.
“Ne kemi dëgjuar premtime edhe më parë. Ajo që ka rëndësi tani është veprimi, jo titujt”, deklaroi ajo për BBC Newsnight.
