Bashkimi Evropian u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të pezullojnë çdo rrënim tjetër të objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, derisa gjykata kompetente të vendosë përfundimisht mbi pretendimet pronësore.
Të lidhura
None found
Anitta Hipper, zëdhënëse për politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, u pyet lidhur me demolimin e objekteve që janë në pronësi të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” në Zubin Potok, si dhe nëse Brukseli po shqyrton ndërmarrjen e masave në rast të vazhdimit të rrënimeve.
“Na vjen keq për rrënimin e shtëpive, sidomos duke pasur parasysh se pretendimet mbi pronësinë vazhdojnë të jenë objekt i shqyrtimit gjyqësor”, deklaroi Hipper, transmeton KosovaPress.
Ajo theksoi se BE-ja u kërkon institucioneve kosovare të mos kryejnë rrënime të tjera dhe të bashkëpunojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe në përputhje me ligjin.
Sipas Hipper, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente për pretendimet pronësore ende të pazgjidhura, duhet të ndërpritet çdo veprim me pasoja të pakthyeshme, përfshirë edhe rrënimet.
