Çështja e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, ekspertët analizojnë pohimet e Ahmetit

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, ka bërë të ditur se disponon informacione për iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, të cilat mund të çojnë në rihapjen e dosjeve të Tribunalit të Hagës, përfshirë pretendimet për hetimin e UÇK-së lidhur me krime lufte.

Të lidhura

None found

Ahmeti vlerëson se rikthimi te këto raste, të mbyllura prej më shumë se 20 vjetësh, do të sillte rihapjen e plagëve të vjetra.

“Jam informuar se në Gjykatën Kushtetuese ka iniciativa për rihapjen e çështjeve të Tribunalit të Hagës, me synimin që Ushtria Çlirimtare Kombëtare të paditet për krime lufte.

Kjo nuk më frikëson, por rikthimi te një plagë e vjetër shkakton më shumë dhimbje sesa hapja e një plage të re. Bëhet fjalë për çështje që i kemi përmbyllur më shumë se 20 vjet më parë”, deklaroi Ahmeti.

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, paralajmëron se çdo tentativë për t’i rikthyer rastet që lidhen me luftën e vitit 2001 mund të prodhojë pasoja të rënda politike dhe ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt destabilizimit.

“Nëse është i saktë pohimi i Ali Ahmetit se Gjykata Kushtetuese e RMV-së, pas 22 vjetësh, mund të rikthejë, gjurmojë apo hetojë krimet e pretenduara të luftës të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2001, atëherë kjo do të nënkuptonte nxitjen e trazirave të rrezikshme për vetë Gjykatën Kushtetuese, qeverinë e Mickoskit dhe shtetin e brishtë të RMV-së.

Image

Nëse informacionet e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, rezultojnë të vërteta, atëherë mund të thuhet pa ngurrim se RMV-ja e Mickoskit po shkon drejt ndarjes dhe shpërbërjes. Megjithatë, nuk besoj se Mickoski dhe VLENI mund të pajtohen që Gjykata Kushtetuese të ndërmarrë veprime të mbrapshta kundër qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre maqedonas”, shprehet Mehazi.

Sipas profesorit, deklarata e Ahmetit mund të jetë vetëm propagandë politike. Ai nënvizon, megjithatë, se një veprim kundër UÇK-së së vitit 2001 nuk do të prekte vetëm persona të veçantë, por të gjithë shqiptarët që dhanë kontribut gjatë konfliktit.

“Ndoshta kemi të bëjmë thjesht me propagandë politike nga Ali Ahmeti dhe me asgjë tjetër. Mundet që synimi të jetë frikësimi i tij, në mënyrë që t’i mbyllet goja nacionaliste si opozitar.

Nëse Tribunali i Hagës ngre padi ndaj UÇK-së së RMV-së, nuk është vetëm Ali Ahmeti ai që paditet, i cili gjatë luftës së vitit 2001 qëndroi në Prizren, por të gjithë qytetarët shqiptarë në RMV që kontribuuan gjatë luftës, nga më i riu deri te më i moshuari”, thotë ai.

Ndryshe nga Mehazi, profesori Kolë Krasniqi thotë për “Bota sot” se deklarata e Ali Ahmetit duhet analizuar me kujdes, pa u shndërruar në objekt dramatizimi politik.

Krasniqi sqaron se bëhet fjalë për një iniciativë të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë lidhur me interpretimin e Ligjit për Amnisti dhe jo për ndonjë padi të re të Tribunalit të Hagës. Sipas tij, kjo gjykatë nuk ka kompetencë të ngrejë aktakuza ose të rikthejë procese penale, por mund të vlerësojë vetëm kushtetutshmërinë e ligjit. Çdo hap i mëvonshëm do të ishte në varësi të prokurorisë dhe gjykatave kompetente.

“Pohimi i z. Ali Ahmeti kërkon trajtim të kujdesshëm, pa dramatizim politik, por edhe pa nënvlerësuar ndërlikimin juridik dhe ndjeshmërinë ndëretnike të çështjes së pretenduar që ka të bëjë me Ligjin për Amnisti.

Në të vërtetë, më 16 shkurt 2024, Pavle Trajanov paraqiti publikisht në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë një iniciativë për shfuqizimin e interpretimit autentik të nenit 1 të Ligjit për Amnisti. Përmes këtij interpretimi ishte bërë i mundur ndërprerja e procedurave në katër dosjet e njohura me emrat: “Udhëheqja e UÇK-së”, “Liqeni i Likovës”, “Varreza e Neproshtenit” dhe “Punëtorët e Mavrovës”. Për këtë arsye, duhet sqaruar nëse z. Ahmeti po flet për këtë iniciativë apo për një nismë tjetër të re.

Nga pikëpamja juridike dhe terminologjike, nuk bëhet fjalë për raste mbi të cilat Tribunali i Hagës ka nxjerrë vendime gjyqësore përfundimtare. Këto kanë qenë dosje në fazën e hetimeve paraprake të hetuesve të Tribunalit të Hagës, të cilat Prokuroria e këtij Tribunali ia kishte kaluar drejtësisë maqedonase për hetime dhe procedim të mëtejshëm.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë nuk ka kompetencë ta padisë UÇK-në, të hartojë aktakuzë apo të rikthejë drejtpërdrejt procedurat penale. Kompetenca e saj kufizohet në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Amnisti ose të interpretimit të tij autentik. Vetëm në rast se vlerësohet se pengesa juridike duhet hequr, prokuroria dhe gjykatat përkatëse mund të analizojnë nëse plotësohen kushtet ligjore dhe nëse ka prova të mjaftueshme për nisjen e procedurave konkrete penale.

Image

Duhet kujtuar se në vitin 2012 Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë kishte konstatuar se ‘interpretimi autentik nuk përbënte akt të përshtatshëm për kontroll kushtetues’, ndërsa Ligji për Amnisti ishte vlerësuar më herët si në përputhje me Kushtetutën. Rrjedhimisht, as pranueshmëria e iniciativës së re, as efektet e mundshme juridike dhe as pasojat politike që mund të rrjedhin prej saj nuk janë të vetëkuptueshme dhe aq më pak mund të paragjykohen”, deklaron Krasniqi.

Sa i përket mundësisë së rikthimit të procedurave, profesori vlerëson se do të kishte padrejtësi nëse ato do të drejtoheshin në mënyrë selektive vetëm kundër ish-pjesëtarëve shqiptarë të UÇK-së ose nëse do të shfrytëzoheshin politikisht. Sipas tij, drejtësia duhet të mbështetet te provat dhe përgjegjësia individuale. Rastet mund të rihapen vetëm kur përmbushen kushte të caktuara ligjore, siç është paraqitja e provave të reja, si dhe duke respektuar parimin se askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër.

“Nëse një procedurë rikthehet vetëm sepse të dyshuarit janë shqiptarë apo ish-pjesëtarë të UÇK-së, kjo mund të perceptohet si një padrejtësi ndaj shqiptarëve.

Një proces i tillë do të ishte seriozisht i padrejtë nëse zhvillohet në mënyrë përzgjedhëse vetëm ndaj ish-pjesëtarëve shqiptarë, nëse lihen mënjanë krimet e pretenduara kundër civilëve shqiptarë, nëse shndërrohet në mjet hakmarrjeje politike, nëse krijon idenë e fajësisë kolektive të shqiptarëve ose nëse shkelen standardet e një gjykimi të drejtë, siguria juridike dhe prezumimi i pafajësisë.

Krimet e kryera ndaj shqiptarëve janë shqyrtuar gjithashtu nga Tribunali i Hagës. Për rastin e Ljubotenit, Johan Tarçulovski u gjet fajtor për vrasje, trajtim mizor dhe shkatërrim të pronës së civilëve shqiptarë, kurse Ljube Boškoski u shpall i pafajshëm. Ky rast tregon se drejtësia duhet të mbështetet te provat dhe përgjegjësia personale, pavarësisht etnisë së të akuzuarit ose viktimës.

Në të njëjtën kohë, standardet ndërkombëtare vendosin kufizime shumë të rrepta për amnistitë që përfshijnë krime lufte apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në rastin Marguš kundër Kroacisë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka pranuar se ndjekja penale për krime lufte mund të vijojë edhe kur një procedurë e mëparshme ishte mbyllur për shkak të amnistisë.

Kjo, sidoqoftë, nuk nënkupton se çdo pretendim mund të cilësohet vetvetiu si krim lufte. Një cilësim i tillë kërkon prova të besueshme dhe duhet konfirmuar përmes një procedure të rregullt gjyqësore.

Për secilin person duhet të verifikohet individualisht nëse ka një vendim përfundimtar dhe nëse gjen zbatim parimi ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër. Konventa Evropiane e lejon rikthimin e procedurës vetëm në rrethana të përcaktuara, për shembull kur dalin fakte ose prova të reja, apo kur procesi i mëparshëm ka pasur mangësi themelore që kanë ndikuar në përfundimin e tij”, thekson profesori.

Në përmbyllje, Krasniqi paralajmëron se rikthimi i politizuar i këtyre rasteve mund të përkeqësojë raportet ndëretnike dhe të dëmtojë frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Ai vlerëson se konflikti i vitit 2001 duhet të jetë politikisht një kapitull i mbyllur, ndërsa përgjegjësia për krime të rënda mund të shqyrtohet vetëm ligjërisht, mbi bazën e provave dhe përgjegjësisë individuale.

“Sipas vlerësimit tim, rihapja selektive dhe e politizuar mund të shkaktojë pasoja të rënda për marrëdhëniet mes etnive në Maqedoninë e Veriut. Ajo mund të rikthejë rrëfimet e kohës së konfliktit, të shtojë mosbesimin e shqiptarëve ndaj institucioneve, të provokojë protesta dhe të dëmtojë frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Rreziku kryesor nuk lidhet vetëm me shqyrtimin ligjor të rasteve, por edhe me mundësinë që drejtësia të shihet si instrument i njëanshëm për ta rishkruar natyrën e konfliktit të vitit 2001 apo për ta portretizuar kolektivisht UÇK-në dhe shqiptarët si palë kriminale.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme të ndahet përmbyllja politike e konfliktit nga përgjegjësia personale për krime të rënda.

Konflikti ushtarak dhe politik duhet të trajtohet si i përfunduar. Marrëveshja e Ohrit duhet mbrojtur si themeli i paqes, barazisë dhe funksionimit multietnik të shtetit. Veprat e zakonshme që lidhen me konfliktin dhe që janë përfshirë ligjërisht nga amnistia duhet të mbeten përgjithmonë të mbyllura, në funksion të sigurisë juridike, harmonisë ndëretnike dhe stabilitetit të institucioneve”, përfundon Krasniqi për “Bota sot”.


Shtuar 4.08.2026 14:20

holiganbetJojobetHoliganbet girişHoliganbetHoliganbetGrandpashabetGrandpashabetjojobetgrandpashabetcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortcasibomjojobetcasibom girişAnkara escortcasibomjojobetJojobet GirişJojobet