Armend Dallku është rikthyer zyrtarisht në detyrën e kryetrajnerit të KF Dukagjinit.
Të lidhura
None found
Klubi nga Klina ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja me Dallkun, i cili merr sërish drejtimin e skuadrës bardhekaltër dhe nis një kapitull të ri me ekipin.
Dallku është një figurë e njohur si për KF Dukagjinin, ashtu edhe për futbollin kosovar. Angazhimi i tij vlerësohet si një hap me rëndësi për vazhdimësinë e projektit dhe përmbushjen e ambicieve sportive të klubit.
Drejtuesit e Dukagjinit presin që eksperienca, profesionalizmi dhe angazhimi i Dallkut të ndihmojnë në realizimin e objektivave dhe në avancimin e mëtejshëm të skuadrës.
Njëkohësisht, klubi ka prezantuar edhe stafin teknik që do të bashkëpunojë me kryetrajnerin, me të njëjtën përbërje si në të kaluarën.
Artan Luzi dhe Agon Ramadani do të shërbejnë si ndihmëstrajnerë, ndërsa Rinor Xhemaj do të mbajë postin e trajnerit të portierëve.
Përmes këtij organizimi të stafit, Dukagjini kërkon të ndërtojë një mjedis të qëndrueshëm dhe profesional, duke u bazuar te përvoja dhe përkushtimi i çdo pjesëtari të ekipit teknik.
KF Dukagjini i ka dëshiruar shumë suksese Armend Dallkut dhe bashkëpunëtorëve të tij në etapën e re me klubin klinas.
