Zana Berisha, e bija e pronarit të shtëpisë së përfshirë nga zjarri në Zveçan, ka bërë të ditur se familja do të rikthehet në pronën e saj sapo të përfundojë renovimi i objektit.
Të lidhura
None found
Ajo tha se familjarët po e presin me padurim ditën kur shtëpia të jetë përfunduar dhe e gatshme për banim. Sipas saj, ngjarja e mbrëmshme përbën vetëm një pengesë në rrugëtimin e gjatë drejt kthimit përfundimtar në pronën e tyre.
Duke folur për motivet e sulmit, Berisha e lidhi rastin me rikthimin e shqiptarëve në pronat e tyre në veri.
Ajo deklaroi se arsyet janë të njohura, pasi thirrja e saj lidhur me klimën për banorët e tjerë shqiptarë në pjesën veriore është bërë publike dhe kjo, sipas saj, nuk i përshtatet dikujt. Megjithatë, Berisha theksoi se familja nuk do të zmbrapset dhe se sulmi vetëm ua përforcon bindjen se ndodhen në rrugën e duhur.
Berisha nënvizoi se nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa atë që u takon, duke qenë se janë kthyer në shtëpinë dhe pronën e tyre. Ajo shtoi se ky sulm qyqar nuk do t’i ndalojë dhe as do t’i frikësojë.
Pas largimit të detyruar gjatë luftës në Kosovë, familja Berisha u kthye në shtëpinë e saj në Zveçan në qershorin e sivjemë. Më pas, familjarët filluan restaurimin e objektit për ta kthyer sërish në një banesë të jetueshme.
Policia, ndërkohë, ka filluar hetimet për zjarrin që përfshiu shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan.
Rasti është iniciuar me cilësimin “Zjarrvënie”, ndërsa deri në këtë fazë nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar.
