Temperaturat e larta kanë sjellë një rritje të problemeve shëndetësore te qytetarët. Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare, deklaroi gjatë një interviste për Euronews Albania se në muajin korrik ekipet e urgjencës u kanë dhënë shërbim më shumë se 6700 personave që kërkuan ndihmë për shqetësime të lidhura me vapën. Sipas tij, në ditë realizohen mesatarisht mbi 500 vizita, ndaj ai apeloi për respektimin e masave parandaluese.
Brataj shpjegoi se ndër problematikat kryesore janë dehidratimi dhe goditja nga i nxehti. Ai paralajmëroi gjithashtu se fëmijët nuk duhet të lihen në automjete, edhe nëse prindërit mendojnë se do të largohen vetëm për 5-10 minuta, pasi temperatura brenda makinës mund të rritet me 20 gradë.
Të lidhura
None found
Kujdes i veçantë gjatë ditëve të nxehta duhet të tregohet edhe ndaj personave me probleme kardiake dhe pacientëve kronikë.
“Enët e gjakut zgjerohen pothuajse në të gjithë hapësirën e trupit për të larguar nxehtësinë, por në të njëjtën kohë humbasin edhe lëngje”, tha ai.
Për muajin gusht, mjekët këshillojnë një ushqyerje të pasur me fruta dhe perime, konsum të mjaftueshëm lëngjesh dhe shmangie të daljeve në orët e pikut. Ky rekomandim vlen veçanërisht për fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
