Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, kanë reaguar pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për ndërhyrjen në ligjin që rregullon statusin e magjistratëve.
Shoqatat deklarojnë se Kuvendi nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Të lidhura
None found
Me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën për shfuqizimin e neneve 1 dhe 2, pika 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Kërkesa ishte paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve dhe më pas iu bashkua edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Sipas shoqatave, Gjykata vlerësoi se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi kishin cenuar statusin financiar të magjistratëve, pasi kishin sjellë një ulje të fshehur të pagave. Në të njëjtin vendim u përcaktuan edhe kriteret kushtetuese mbi të cilat duhej të hartohej formula e re e pagave, ndërsa Kuvendit iu la kohë deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore përkatëse.
“Me mbarimin e afatit të lënë në dispozicion, konstatojmë se nga ana e Kuvendit nuk është vepruar me miratimin e ndryshimeve ligjore”, thuhet në reagimin e përbashkët të organizatave të magjistratëve.
Shoqatat theksojnë se mungesa e veprimit nga Kuvendi nuk ka krijuar boshllëk ligjor, pasi Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar paraprakisht mënyrën e zbatimit në këtë situatë. Për këtë arsye, duke nisur nga 1 gusht 2026, pagat e magjistratëve duhet të përllogariten sipas formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, në përputhje me vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese.
E njëjta formulë duhet të zbatohet edhe në mënyrë prapavepruese për periudhën nga 1 prill 2023 deri më 31 korrik 2026. Shoqatat kanë bërë të ditur se do të ndjekin nga afër zbatimin e vendimit nr. 15, datë 17.02.2026, ndërsa u kanë kërkuar institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës të respektojnë detyrimet që burojnë nga neni 132, pika 1, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shprehen se do të vijojnë të jenë të bashkuara në këtë qëndrim dhe do të monitorojnë çdo hap të ndërmarrë për zbatimin e vendimit. Ato kanë ritheksuar gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me institucionet përgjegjëse, me synim garantimin e standardeve kushtetuese dhe të statusit të magjistratit.
