Forcat zjarrfikëse në Greqi, të mbështetura nga banorët e zonave të prekura, kanë punuar pa pushim gjatë gjithë natës për të penguar zgjerimin e vatrave të zjarrit.
Të lidhura
None found
Gjendja vazhdon të jetë kritike në Psatha-Porto Germeno dhe Megara, dy zonat kryesore ku flakët mbeten ende aktive.
Nga vendngjarja, gazetari i Top Channel në Greqi, Artur Bibe, raporton se zjarri në Psatha është shtrirë në një perimetër të madh. Gjatë natës, qindra zjarrfikës mundën ta mbanin frontin e flakëve rreth 300-400 metra larg banesave të para, duke parandaluar deri tani avancimin e tij drejt zonave të banuara.
Në Megara, zjarri ka përparuar gjatë natës në drejtim të Nea Peramos. Megjithatë, sipas autoriteteve, në të dyja vatrat fronti i flakëve duket se po zhvendoset larg zonave të banuara.
Pas lindjes së diellit kanë rinisur operacionet nga ajri me avionë dhe helikopterë zjarrfikës, ndërhyrje që pritet të jenë vendimtare për vënien e flakëve nën kontroll.
Autoritetet greke kanë bërë të ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve do të fillojë sapo zjarret të jenë shuar plotësisht.
