Shtatë qytetarë janë nxjerrë në siguri nga rrjedha e lumit Drini i Zi në Bulqizë, pas një operacioni të përbashkët të Policisë dhe strukturave të emergjencës.
Ndërhyrja nisi sapo Komisariati i Policisë Bulqizë mori një telefonatë nga një shtetas, i cili njoftoi se bashkë me 6 pjesëtarë të familjes së tij ishte izoluar në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”.
Të lidhura
None found
Bllokimi i tyre erdhi si pasojë e ngritjes së menjëhershme të nivelit të ujit.
Shërbimet policore u nisën menjëherë drejt vendngjarjes dhe, në koordinim me Emergjencat Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin zjarrfikës, organizuan operacionin për shpëtimin e qytetarëve.
Të shtatë personat u evakuuan nga rrjedha e lumit me gomone. Ata nuk kanë pësuar lëndime dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Dibrës deklaron se mbetet maksimalisht e angazhuar në shërbim të qytetarëve. Ajo kërkon kujdes të shtuar gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, veçanërisht kur niveli i ujit mund të rritet papritur, si dhe apelon që Policia të njoftohet pa vonesë në çdo rast kur nevojitet ndihmë.
