Gjendja me furnizimin me ujë në Gostivar po shënon përmirësim, ndërsa ekspertët e Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi i Shkupit” po marrin dhe analizojnë çdo ditë mostra, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në këtë fazë po zbatohet procesi i hiperklorimit. Mickoski tha se zhvillimet po çojnë drejt një situate ku qytetarët e Gostivarit, ndoshta për herë të parë gjatë dekadave të fundit, do të kenë ujë të pijshëm që është i rregullt nga aspekti bakteriologjik.
Kryeministri bëri të ditur se Prokuroria ka nisur veprimet për rastin, ndërsa disa persona janë ndaluar dhe janë marrë në pyetje. Ai pret që hetimet të shtrihen edhe te persona të tjerë, duke theksuar se përgjegjësia është përcaktuar dhe se po zbatohen masat e domosdoshme.
Mickoski e lidhi problemin me veprimet e papërgjegjshme të disa punonjësve të ndërmarrjes komunale, të cilët kishin kaluar ujë nga lumi drejt rezervuarit kryesor.
Ai njoftoi gjithashtu se shteti ka siguruar ujë të pijshëm për banorët e Gostivarit dhe shprehu mirënjohje për kompanitë dhe qytetarët që iu bashkuan aksionit të donacioneve.
Aktualisht, qytetarët kanë në dispozicion ujë teknik. Kryeministri u kërkoi atyre të tregojnë durim deri në përfundimin e analizave, duke shprehur bindjen se së shpejti uji do të mund të përdoret edhe për pije dhe për gatim.
