Veprimtari Halil Geci ka reaguar pas fillimit të shembjes së objekteve pa leje në zonën e Ujmanit, duke thënë se aksioni i institucioneve dëshmon se kjo hapësirë administrohet nga Republika e Kosovës.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Geci iu kundërpërgjigj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me Ujmanin. Ai përshëndeti ndërhyrjen e autoriteteve kosovare për prishjen e 11 ndërtimeve pa leje, mes të cilave edhe vila që, sipas institucioneve, u përkasin zyrtarëve të Listës Serbe.
Geci shkroi se, ndonëse Vuçiqi ka deklaruar se Serbia nuk do ta japë Ujmanin dhe se zona i përket Serbisë, veprimet e institucioneve të Kosovës po tregojnë se aty zbatohet ligji i Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh pronarët e objekteve.
Ai pretendoi gjithashtu se Hashim Thaçi ia jep Ujmanin Vuçiqit, ndërsa Albin Kurti po i tregon atij se kujt i përket zona. Në reagimin e tij, Geci përmendi edhe pakënaqësinë e opozitës, Edi Ramës dhe “djathtistëve të kakes”, duke shtuar se kjo zemëratë do të kalojë.
Sipas tij, në Ujman ka nisur rrënimi i 11 vilave, përfshirë edhe ato që i atribuohen nënkryetarit të Listës Serbe, Ivan Zaporozhac.
