Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për pasojat e reformës territoriale të vitit 2014, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale. Sipas tij, kalimi nga 410 bashki dhe komuna në vetëm 61 njësi vendore nuk u bë vetëm për interesa elektorale, por edhe për të realizuar atë që e quajti “dëbim të butë” të shqiptarëve, duke ndërprerë investimet dhe shërbimet në zonat rurale.
Berisha tha se heqja e komunave nga organizimi i pushtetit vendor la pa investime Shqipërinë rurale, ku jetonte rreth 49% e popullsisë. Ai pretendoi se u ndal financimi për infrastrukturën, kanalizimet dhe ujësjellësit, ndërsa u hoq edhe mbështetja për fermerët dhe bujqësinë.
Të lidhura
None found
Sipas kreut të PD-së, këtyre masave iu shtuan mungesa e shërbimeve dhe përgjysmimi i ndihmës ekonomike. Ai e cilësoi këtë qasje si një politikë antishqiptare që ka prodhuar pasoja demografike katastrofale për kombin shqiptar, të papara që prej vitit 1913, të cilin e përmendi si vitin e mortajës së zezë apo të vdekjes së zezë.
Duke cituar të dhënat e Eurostat, Berisha deklaroi se nga viti 2015 deri në vitin 2024, pra brenda 10 viteve, vetëm drejt hapësirës Schengen janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Ai shtoi se, po të përfshihen edhe personat që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Norvegji, Lindjen e Mesme, Afrikë, Australi dhe vende të tjera, numri i të larguarve arrin në 47% të shqiptarëve.
Berisha e konsideroi këtë zhvillim si goditjen më të rëndë ndaj vetë ekzistencës së kombit shqiptar dhe tha se vendi po boshatiset pa mëshirë nga banorët e tij. Sipas tij, bëhet fjalë për një “gjenocid të butë”, të krijuar përmes kushteve të kalkuluara që i shtynë shqiptarët të largohen nga Shqipëria.
Në përfundim, kryetari i Partisë Demokratike u bëri thirrje shqiptarëve të kontribuojnë për largimin sa më të shpejtë të Edi Ramës dhe që kryeministri të gjykohet për gjenocid ndaj shqiptarëve.
