FIFA ka vendosur të mos e vijojë projektin për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë të aksioneve në Kupën e Botës. Vendimi u bë i ditur të premten në mbrëmje nga presidenti i organizatës, Gianni Infantino, pas reagimeve të shumta kundër nismës.
Sipas planit fillestar, FIFA synonte të siguronte deri në 4.2 miliardë dollarë përmes shitjes së rreth 20% të aksioneve në një njësi të re, e cila do të administronte aktivitetet e organizatës, përfshirë edhe Kupën e Botës.
Të lidhura
None found
Propozimi, i bërë publik për herë të parë të martën, shkaktoi menjëherë kundërshtime të forta. UEFA, institucioni drejtues i futbollit evropian, paralajmëroi bojkotimin e ngjarjeve dhe e akuzoi FIFA-n se po vinte në shitje “shpirtin” e sportit.
“Pas shqyrtimit me vëmendje të të gjitha qëndrimeve, u bë e qartë se projekti kishte shkaktuar përçarje të një niveli që, pavarësisht mbështetjes që mund të kishte, nuk përputhej më me objektivin e vendosur në fillim”, deklaroi Infantino të premten në mbrëmje.
Ai shtoi se synimi i FIFA-s ka qenë dhe mbetet bashkimi dhe zhvillimi i mëtejshëm. “Për këtë arsye, ky propozim nuk do të vazhdojë”, u shpreh presidenti i FIFA-s.
Organizata kishte mbrojtur idenë duke argumentuar se shitja e një pjese minoritare të aksioneve në aktivitetet e saj tregtare do të siguronte miliarda dollarë për financimin e zhvillimit global të sportit. FIFA gjithashtu kishte pretenduar se mediat e kishin paraqitur gabimisht përmbajtjen e projektit.
Infantino u kishte dërguar letër federatave anëtare, duke u bërë të ditur se secila prej tyre do të përfitonte 40 milionë dollarë nëse do ta miratonte propozimin e FIFA-s deri më 19 shtator.
“Në vijim, synimi im është që gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme t’i rikthej të gjitha palët e interesuara në një tryezë, në frymën e interesit të përbashkët për lojën tonë dhe me qëllimin për të vazhduar zgjerimin e futbollit në çdo vend, veçanërisht në ato që kanë më shumë nevojë për mbështetjen tonë”, përfundoi Infantino.
