Ministria e Financave publikoi sot të dhënat për borxhin publik dhe shtetëror gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Sipas shifrave zyrtare, borxhi publik përbën 58.8% të BPV-së, ndërsa në vlerë absolute arrin në 10.726 milionë euro.
Të lidhura
None found
Në krahasim me tremujorin paraardhës, niveli i borxhit publik ka rënë me 0.1 pikë përqindjeje, ose me 21 milionë euro në terma absolutë.
Ndërkaq, raporti i borxhit ndaj BPV-së në tremujorin e dytë të vitit 2026 është 2.6 pikë përqindjeje më i ulët se në fund të vitit 2024 dhe 0.6 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me gjendjen në fund të vitit 2025.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, për shërbimin e një pjese të eurobondit u paguan më shumë se 300 milionë euro. Bëhet fjalë për një eurobond me vlerë totale prej 700 milionë eurosh, të emetuar në vitin 2020, ndërsa pjesa kryesore e tij ishte shlyer në tremujorin e parë.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se menaxhimi i borxhit publik deri tani ka qenë i suksesshëm.
“Borxhi publik në tremujorin e dytë arriti në 58.8% të BPV-së. Le të shohim se sa arriti në vitin 2021 dhe sa ishte në vitin 2024. Ne arritëm t’i menaxhojmë të gjitha këto dhe t’i vëmë gjërat nën kontroll. Më besoni, nuk është e lehtë të lëvizësh me një nivel borxhi publik prej rreth 60% të PBB-së gjatë gjithë kohës dhe të luftosh që të mos e tejkalosh atë prag”, tha Dimitrieska-Koçoska në “RTVM”.
Ajo u shpreh se kufiri i huamarrjes, i cili në disa raste shihet edhe si një prag psikologjik, mund të tejkalohet, por theksoi se rëndësi të veçantë ka destinacioni i fondeve dhe ndikimi i tyre në rritjen ekonomike, e cila sipas saj ka vijuar gjatë viteve të fundit./Telegrafi/
