Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale, gjatë një takimi të zhvilluar sot me gazetarët, paraqiti argumentet dhe mënyrën se si është hartuar propozimi i PS për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Mazniku e nisi diskutimin me kritika ndaj opozitës, të cilën e bëri përgjegjëse për zvarritjen e punës së komisionit, ndonëse afati i përcaktuar për përfundimin e procesit ishte 9 muaj.
Të lidhura
None found
“Katër muajt e parë opozita nuk erdhi, një muaj u mor me kalendarin e diskutimeve. Një pjesë e detyrave që komisioni duhej të realizonte nuk u bënë, sepse opozita mori në mënyrë sistematike shumë kohë. Që kur është krijuar komisioni, afati ka qenë 9-mujor dhe kjo dihej”, deklaroi ai.
Në shpjegimin e nismës, Mazniku garantoi se qytetet që parashikohet t’u bashkohen njësive më të mëdha vendore nuk do të humbasin asnjë shërbim. Ai iu referua edhe shqetësimeve të banorëve të Poliçanit, të cilët dje protestuan kundër bashkimit me Beratin.
“Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Bashkimi i Poliçanit me Beratin do t’i sjellë më shumë zhvillim Poliçanit. I ruajmë të gjithë elementët që ka, zyrën, logon, çdo gjë, por përfiton nga ky kalim”, u shpreh Mazniku.
Sa i përket Rinasit, ai sqaroi se bëhet fjalë për të vetmin rast në të cilin është kërkuar ndryshimi i territorit, duke renditur edhe arsyet që qëndrojnë pas këtij propozimi.
“Rinasi është rasti i vetëm ku propozuam ndryshim territori, sepse Tirana është përfituesja më e madhe nga ajo që gjeneron Rinasi. Akset që vijnë nga Rinasi kanë nevojë për mirëmbajtje më të madhe për shkak të aeroportit. Kjo bëhet për t’i dhënë mundësi atij territori dhe për të ekuilibruar përfituesit me atë që mban kostot”, shpjegoi ai.
Mazniku mohoi që propozimi të jetë ndikuar nga llogaritjet politike, duke theksuar se zhvendosja e këtyre bashkive nuk e ndryshon rezultatin në rang kombëtar dhe se objektivi lidhet me përmirësimin e funksionimit të tyre.
“Elementi politik nuk është futur fare në këtë diskutim. Lëvizja e këtyre bashkive nuk ndikon në ndryshimin e rezultatit në nivel kombëtar. Është e qartë se synimi është rritja e eficiencës së funksionimit të këtyre bashkive”, tha Mazniku.
