Franco Baresi u nda sot nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një përballjeje të gjatë me një sëmundje të rëndë që kishte prekur mushkëritë. Futbolli humbi një prej figurave të tij më të mëdha, ndërsa kujtimi për të do të mbetet i gjallë për shumë gjatë.
Të lidhura
None found
Gjatë gjithë karrierës, Baresi mbrojti ngjyrat kuqezi të Milanit, skuadrës së madhe që me të në formacion ndërtoi një epokë suksesi dhe koleksionoi trofe të rëndësishëm. Paraqitjet e tij e kthyen në një emër të admiruar nga tifozët, por edhe të lakmuar nga rivalët.
Roli i tij nuk u kufizua vetëm te një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Baresi u shndërrua në një pikë referimi për breza të tërë futbollistësh dhe në “profesorin” e një grupi yjesh ku bënin pjesë Paolo Maldini, Filippo Goali, Alessandro Costacurta, Mauro Tassotti, Demetrio Albertini dhe Christian Panucci.
Autoriteti dhe klasi i treguar në fushë e çuan gjithashtu në një arritje historike individuale. Baresi u rendit i dyti në garën për “Topin e Artë”, pas bashkëlojtarit të tij te Milani, Marco van Basten.
Me 719 ndeshje të zhvilluara dhe 33 gola të shënuar, ai fitoi gjithsej 22 trofe. Bilanci i tij përfshin 6 tituj kampionë në Itali, 4 Superkupa, 3 Superkupa Europiane, 3 Champions League dhe 1 Botëror për klube. Një pasuri e jashtëzakonshme për një figurë që u bë pjesë e pandashme e historisë së Milanit.
Edhe kombëtarja italiane përfitoi nga prania e një personaliteti të përmasave të tij. Në vitin 1982, Baresi u shpall kampion bote kur ishte vetëm 22 vjeç. Ndërsa në Botërorin e vitit 1990, të zhvilluar në Itali, “Azzurrët” e përfunduan turneun në vendin e tretë.
Katër vjet më vonë, ai dhe shokët e skuadrës arritën deri në finalen e madhe të luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e mbyllën kompeticionin si nënkampionë. Në atë turne, Baresi dha gjithçka për të neutralizuar një sulmues të rrezikshëm si Romario, megjithatë trofeu përfundoi në duart e Brazilit.
Me përfundimin e rrugëtimit të tij profesional dhe personal, Baresi la pas një trashëgimi të çmuar. Emri i tij do të vazhdojë të jetojë me nderim, si një prej figurave që “stampuan” historinë e futbollit botëror.
