Dy pronarë lokalesh në Golem janë ndëshkuar nga Policia e Durrësit me masa administrative prej 200 mijë lekësh secili, pasi muzika në ambientet e tyre rezultoi mbi nivelin e lejuar.
Shërbimet e Stacioneve të Policisë Golem dhe Plazh zhvilluan kontrolle në zonat turistike për të verifikuar zbatimin e kufijve ligjorë të zhurmës dhe të orarit të përcaktuar për aktivitetet me muzikë. Inspektimet u përqendruan në zonat e konsideruara me rrezik për ndotje akustike, si dhe në vendet për të cilat ishin paraqitur ankesa nga qytetarët.
Të lidhura
None found
Gjatë aksionit u kontrolluan me pajisje matëse disa subjekte dhe ambiente, të hapura dhe të mbyllura, për të përcaktuar nëse niveli maksimal i zhurmës ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas policisë, matjet treguan se dy lokale në Golem transmetonin muzikë përtej kufirit të lejuar. Për këtë shkelje, pronarët e identifikuar me inicialet G. Gj., 46 vjeç, dhe F. S., 30 vjeç, u gjobitën me nga 200 mijë lekë.
Krahas matjes së zhurmës, policia kontrolloi edhe zbatimin e orarit të lejuar për muzikën në ambientet e hapura të zonave të banuara, i cili nis në orën 11:00 dhe përfundon në orën 24:00.
