Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në Gostivar është shënuar një përmirësim i ndjeshëm i situatës epidemiologjike, ndërsa numri i personave që kanë kërkuar kujdes mjekësor ka vijuar të ulet.
Të lidhura
None found
Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Përgjithshëm dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë kryer 36 kontrolle. Ky numër është 37 më i ulët se një ditë më parë, kur ishin regjistruar 73 kontrolle. Në spital aktualisht po trajtohen katër pacientë.
Prej nisjes së monitorimit, në këto dy institucione shëndetësore janë realizuar gjithsej 4.483 kontrolle të para. Ndërkohë, autoriteteve përkatëse u janë përcjellë 1.014 raportime zyrtare për sëmundje ngjitëse dhe janë përfunduar 706 anketa të reja epidemiologjike, me një mbulim prej 70 për qind.
Autoritetet shëndetësore vijojnë mbikëqyrjen e shtuar epidemiologjike, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, intervistimin e pacientëve, si dhe zbatimin e bashkërenduar të masave të nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas MSH-së, rënia e kontrolleve është një sinjal pozitiv, por situata mbetet nën vëzhgim të kujdesshëm./Telegrafi/
