Një ortek në malin Broad Peak, në Pakistan, shkaktoi vdekjen e dy alpinistëve, ndërsa tetë pjesëtarë të tjerë të ekipit të alpinistit të njohur nepalez Nirmal Purja vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Të lidhura
None found
Klubi Alpin i Pakistanit bëri të ditur se viktimat janë Nadira Al Harthi nga Omani dhe Pur Bahadur Gurung, i njohur me nofkën “Yukta”, nga Nepali.
Sipas një deklarate të publikuar të premten, trupi i Nadirës është lokalizuar dhe po dërgohet me helikopter drejt vendit të saj, ndërsa procedurat për transportimin e trupit të Yuktës janë në proces përfundimi.
Klubi njoftoi gjithashtu se kërkimet për personat e tjerë të zhdukur nuk janë ndërprerë, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe komunitetin ndërkombëtar të alpinizmit në këtë periudhë të vështirë.
Orteku goditi grupin teksa alpinistët po përparonin nga Kampi 2 drejt Kampit 3, nga ku synonin të vazhdonin rrugën drejt majës. Në ekspeditë ishin gjithsej 10 alpinistë, mes tyre edhe Nirmal Purja.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja ndodhi rreth mesditës së së enjtes në vargmalin Karakoram. Pas ortekut, grupi nuk ka pasur më kontakt, ndërsa moti i keq ka vështirësuar ndërhyrjen e helikopterëve të kërkim-shpëtimit.
Pavarësisht situatës, ekipet e shpëtimit vijojnë të shpresojnë për gjetjen e të mbijetuarve, pasi pajisja gjurmuese e Purjas ka sinjalizuar disa lëvizje pas rënies së ortekut.
Nirmal Purja, i njohur ndërkombëtarisht si “Nimsdai”, është një prej tre alpinistëve rekordmenë që drejtojnë kompaninë Elite Exped. Bashkë me Mingma David Sherpa dhe Tejan Gurung, ai merret me organizimin e ekspeditave të udhëhequra në majat më të larta të botës.
Alpinisti me origjinë nepaleze ka shërbyer gjithsej 16 vjet në ushtri: gjashtë vjet në Regjimentin elitë Gurkha dhe më pas 10 vjet në Forcat Speciale Detare të Mbretërisë së Bashkuar, SBS.
Purja, 43 vjeç, cilësohet si një nga figurat më të rëndësishme të alpinizmit botëror. Ai mban rekordin për ngjitjen më të shpejtë të 14 majave me lartësi mbi 8 mijë metra.
