Ashtu si një vit më parë, Ballkani e ka mbyllur rrugëtimin në garat evropiane pas ekzekutimit të penalltive. Këtë herë, skuadra që eliminoi “Xhebrailat” ishte Bohemians nga Irlanda.
Të lidhura
None found
Ballkani bëri një paraqitje të shkëlqyer gjatë kohës së rregullt, por goli i pësuar në minutat e fundit e çoi rezultatin në 3-2, duke bërë të nevojshme fillimisht vazhdimet dhe më pas goditjet nga 11 metra.
Serinë e realizimeve e nisi Valentin Serebe, i cili e gjeti rrjetën kur kishin kaluar vetëm 10 minuta lojë.
Bohemians reagoi në minutën e 20-të, kur James-Taylor u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe barazoi shifrat.
Skuadra e Ballkanit e nisi në mënyrë fantastike pjesën e dytë. Në minutën e 50-të, Giovanni përfitoi nga asistimi i Serebes dhe shënoi nga afërsia për t’ia kthyer epërsinë ekipit të tij.
Serebe ishte sërish protagonist vetëm tetë minuta më vonë, duke asistuar Toni Domgjonin, i cili realizoi golin e rezultatit 3-1 në minutën e 58-të.
Në momentin kur kualifikimi i Ballkanit dukej i sigurt, Hickey shënoi nga afërsia në minutën e 88-të, duke rikthyer mysafirët në lojë dhe duke e dërguar përballjen në vazhdime.
Dy pjesët shtesë nga 15 minuta nuk sollën asnjë gol, ndaj skuadrat iu drejtuan penalltive, ku Bajram Jashanica mori rolin e figurës tragjike të ndeshjes.
Jashanica ishte i vetmi që nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, ndërsa futbollistët mysafirë u treguan të pagabueshëm, duke realizuar të pesta penalltitë.
