Lumir Abdixhiku iu është drejtuar delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të merret vendimi nëse ai do ta vazhdojë ose jo mandatin si kryetar i LDK-së.
Të lidhura
None found
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se, sipas vlerësimit të tij, ky proces po zhvillohet në një moment të papërshtatshëm. Megjithatë, ai nënvizoi se e respekton vullnetin demokratik të delegatëve.
Pas përfundimit të fjalimit të Abdixhikut, deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, iu dha fjala për të argumentuar kërkesën që synon shkarkimin e kryetarit të partisë.
Zemaj është ndër nismëtarët kryesorë të kësaj kërkese dhe ka drejtuar mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Me mbylljen e fjalimeve hyrëse, punimet e Kuvendit të LDK-së vijuan pa praninë e publikut. Delegatët do të zhvillojnë diskutimet dhe më pas do të votojnë për të përcaktuar fatin e kryetarit aktual të partisë.
