Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, ka reaguar ndaj njoftimit të këshilltarëve komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje se kanë paraqitur kallëzim penal kundër tij dhe disa zyrtarëve të kabinetit të tij, për shkak të dyshimeve mbi parregullsi gjatë legalizimit të objekteve në kryeqytet.
Të lidhura
None found
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama sugjeroi se pretendimet ndaj tij lidhen me motive politike, duke vënë në pah se ato u publikuan në ditën kur po mbahej Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Krejt makineria propaganduese e Vetëvendosjes qenka qu n’aksion kundër meje, sot në ditën e kuvendit të LDK-së! Interesant!”, ka shkruar Rama.
Gjatë ditës, Berita Abazi dhe Çlirim Gerbeshi, këshilltarë komunalë të VV-së në Prishtinë, thanë në një konferencë për media se kishin marrë një email sinjalizues. Sipas tyre, në të gjenden komunikime që krijojnë dyshime për legalizim të kundërligjshëm të objekteve, ndërsa përmenden edhe shuma të mëdha parash.
Duke u mbështetur në këto dyshime, ata njoftuan se kanë paraqitur kallëzim penal ndaj Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, me kërkesën që rasti të hetohet nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, të enjten, në platformën sociale Snapchat qarkulluan edhe disa “screenshot”, ku përmendeshin emra të kabinetit të Ramës.
