Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër gjashtë personave, të cilët dyshohet se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal që synonte të kryente një vrasje të rëndë dhe të sulmonte biznese.
Të lidhura
None found
Të pandehurit A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B. akuzohen për “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Në aktakuzë thuhet se, nga dhjetori 2024 deri në shkurt 2025, të akuzuarit kishin vepruar si grup i organizuar kriminal, duke hartuar planin dhe duke ndërmarrë hapa për vrasjen e një personi.
Ata dyshohet se po përgatitnin edhe sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese kundër bizneseve të lidhura me të dëmtuarit. Sipas Prokurorisë Speciale, këto veprime synonin shkaktimin e dëmeve materiale, frikësimin e viktimave dhe shfaqjen e fuqisë së grupit kriminal.
Secili nga gjashtë të pandehurit, sipas aktakuzës, kishte një detyrë të përcaktuar në realizimin e planit, zbatimi i të cilit u pengua nga veprimet hetimore të autoriteteve.
Prokuroria Speciale ka deklaruar se do të vijojë angazhimin për luftimin e krimit të organizuar dhe për nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë të dyshuarve për vepra të rënda penale.
