Rinovimi i fushës në stadiumin “Air Albania” ka mbërritur në etapën përfundimtare, me punimet që po ecin në përputhje me afatet e përcaktuara për investimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ndërhyrja ka përfshirë rindërtimin tërësor të bazamentit të fushës. E gjithë struktura është realizuar nga fillimi, me synimin që impianti të përmbushë nivelet më të larta teknike dhe funksionale.
Të lidhura
None found
Në stadium ka përfunduar gjithashtu instalimi i tapetit të ri hibrid. Kjo sipërfaqe moderne dhe rezistente është projektuar në përputhje me kriteret e UEFA-s për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Pas vendosjes së tapetit është kryer mbjellja e barit natyral. Specialistët po vazhdojnë monitorimin dhe mirëmbajtjen e fushës, në mënyrë që ajo të arrijë kushtet optimale për zhvillimin e takimeve zyrtare.
Sipas kalendarit të parashikuar, fusha e re e “Air Albania” do të jetë tërësisht e përdorshme gjatë muajit shtator. Projekti përfshihet në strategjinë e Federatës Shqiptare të Futbollit për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri dhe është i lidhur drejtpërdrejt me përgatitjet për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, të cilat do të organizohen bashkërisht nga Shqipëria dhe Serbia.
Pritja e këtij kompeticioni cilësohet si një ngjarje historike për futbollin shqiptar, por edhe si një mundësi e veçantë për promovimin ndërkombëtar të vendit. Në këtë kuadër, FSHF po vijon të investojë në impiantet sportive, për të siguruar standardet më të larta organizative dhe për t’i lënë futbollit shqiptar një trashëgimi infrastrukturore afatgjatë.
Me mbylljen e punimeve në “Air Albania”, Shqipëria do të ketë një nga sipërfaqet e lojës më moderne në rajon. Fusha do të krijojë kushte ideale për ndeshjet e ekipeve kombëtare, finalet e UEFA EURO U-21 2027 dhe aktivitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare që Federata Shqiptare e Futbollit synon të organizojë në vend.
