Një objekt, origjina e të cilit mbetet e paqartë, ra në territorin polak dhe shpërtheu pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, rreth 95 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Të lidhura
None found
Incidenti u shënua teksa Rusia po kryente një ofensivë të gjerë me raketa dhe dronë kundër disa rajoneve ukrainase.
Banorët e zonës njoftuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë, ndërsa ushtria polake nisi hetimet për të zbuluar prejardhjen e objektit, sipas autoriteteve të vendit. Për shkak të sulmeve ruse në afërsi të kufirit, Polonia kishte aktivizuar më herët avionët e saj luftarakë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë bëri të ditur se kishte realizuar një “sulm masiv” me dronë dhe raketa me rreze të gjatë kundër bazave ushtarake në Ukrainë.
Disa qytete ukrainase u vunë në shënjestër të bombardimeve. Në Kiev u vra një person, ndërsa pasojat më të rënda u regjistruan në Krivyi Rih, ku një raketë balistike rrënoi një banesë. Gjashtë persona humbën jetën, përfshirë dy vajza 5 dhe 12 vjeç, kurse të paktën tetë të tjerë u plagosën.
Në Lviv, qytet pranë kufirit polak, skuadrat e shpëtimit po vijojnë operacionet për gjetjen e personave që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Mbi dhjetë persona rezultojnë të plagosur.
Vala e sulmeve erdhi vetëm një ditë pas takimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë takimit, Zelensky kërkoi sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, forcat ukrainase vazhduan kundërsulmet në brendësi të territorit rus. Një dron i Ukrainës goditi një depo të kompanisë Wildberries në rajonin e Penzës, ku shpërtheu zjarr. Autoritetet ruse raportuan se një person u plagos dhe afërsisht 200 të tjerë u evakuuan.
Ende nuk është përcaktuar nëse objekti që ra dhe shpërtheu në Poloni lidhej me ofensivën ruse apo ishte një tjetër mjet fluturues. Autoritetet polake po vazhdojnë hetimet për sqarimin e ngjarjes.
