Gazetari i njohur spanjoll Emilio Pérez de Rozas pretendon se kalimi i Rodrit te Real Madridi mund të jetë thuajse i përfunduar, ndonëse negociatat nuk janë bërë publike. Sipas tij, marrëveshja ndërmjet klubit madrilen dhe mesfushorit spanjoll praktikisht është mbyllur.
Të lidhura
None found
Gjatë një deklarate për të ardhmen e lojtarit, Pérez de Rozas sugjeroi se bisedimet kanë përparuar shumë më tepër nga sa është raportuar deri më tani.
“Unë do të paguaja çfarëdo shume për Rodrin. E dini çfarë mendoj? Mendoj se ata e kanë nënshkruar tashmë”, deklaroi gazetari spanjoll.
Rodri vijon të përmendet si një prej futbollistëve që mund të largohet nga Manchester City. Raportimet bëjnë të ditur se ai ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me kampionët e Anglisë, e cila përfundon në vitin 2027.
Për shërbimet e fituesit të Kupës së Botës interesohen gjithashtu Paris Saint-Germain dhe Barcelona. Megjithatë, Real Madridi shihet si kandidati kryesor për ta transferuar mesfushorin.
Në të njëjtën kohë, Man City raportohet se po shkon drejt përfundimit të marrëveshjes për pasuesin e Rodrit, i cili kushton mbi 100 milionë euro.
Pasiguria për të ardhmen e Rodrit lidhet edhe me situatën e tij fizike. Manchester City njoftoi së fundmi se lojtari iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale në shpinë, me synimin për të eliminuar një shqetësim që e kishte munduar prej disa muajsh. Tani ai pritet të kalojë një periudhë të shkurtër rehabilitimi.
Raportet nga Spanja tregojnë se Real Madridi kërkon ta realizojë transferimin për afërsisht 45 milionë euro, së bashku me bonuse. Paralelisht, po diskutohet një marrëveshje kontraktuale që do ta mbante Rodrin në Santiago Bernabéu deri në vitin 2030.
Te drejtuesit e klubit madrilen, reprezentuesi spanjoll vlerësohet si alternativa ideale për ta përforcuar mesfushën pas largimeve të Toni Kroos dhe Luka Modrić.
