Për të dytën ditë me radhë, ekipet e specializuara po kryejnë gërmime në zonën e Kalludrës, ku dyshohet se janë varrosur eshtrat e 23 personave të humbur gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.
Të lidhura
None found
Të martën, vendi i operacionit u inspektua nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai theksoi se gjetja e kësaj varreze masive është fryt i një pune të palodhur nga institucionet e sigurisë dhe i ndihmës së marrë nga qytetarët.
“Falë një angazhimi të vazhdueshëm të autoriteteve të sigurisë dhe bashkëpunimit me popullatën, kemi arritur të identifikojmë një varr masiv me eshtra të bashkëqytetarëve tanë. Aktiviteti vijon si në planin e gërmimeve, ashtu edhe në atë hetimor, për të identifikuar viktimat dhe për të sjellë para drejtësisë autorët. Nuk do të reshtim së kërkuari derisa të gjejmë edhe trupin e fundit të personit të zhdukur”, u shpreh Sveçla.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria Speciale ka vendosur në ndalim për 48 orë dy individë të identifikuar me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohet se kanë përfshirje në këtë ngjarje.
Prokuroria Speciale bëri të ditur se procesi i nxjerrjes së mbetjeve mortore po zhvillohet në bazë të një urdhri gjyqësor dhe në përputhje të plotë me standardet profesionale e ndërkombëtare për trajtimin e provave materiale dhe identifikimin e viktimave.
Ata sqaruan se aktiviteti po kryhet me pjesëmarrjen e institucioneve kompetente dhe specialistëve të fushës, duke respektuar rreptësisht kornizën ligjore dhe kriteret teknike.
Ky veprim është pjesë e dy dosjeve të veçanta hetimore penale të menaxhuara nga Prokuroria Speciale. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione të tjera lidhur me identitetin e eshtrave apo rrethanat specifike të rasteve në shqyrtim.
Prokuroria ka paralajmëruar se detajet plotësuese do të bëhen publike vetëm në atë masë që nuk cenohet ecuria e procesit penal, procedura e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të të ndjerëve.
Në përmbyllje të komunikimit, u ripërsërit angazhimi i plotë i institucioneve për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe për garantimin e drejtësisë për familjet e viktimave.
Ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Miftari, ka shprehur bindjen se varreza mund t’u përkasë shqiptarëve që po përpiqeshin të arratiseshin drejt Malit të Zi. Ai kujtoi se në atë grup bënte pjesë edhe vëllai i Halit Beranit.
“Mendoj se kjo varrezë përmban trupat e shqiptarëve që ishin nisur për në Mal të Zi. Grupi përbëhej nga 25 vetë, por vetëm dy ia dolën të mbijetonin. Ajo ishte koha kur po zhvilloheshin bombardimet e NATO-s. Megjithatë, nga sa kam marrë vesh pas përfundimit të luftës, edhe Zyra për të Zhdukurit (ZKZ) ka kryer hetime për këtë rast. Nëse ky është vendi i tyre i prehjes, atëherë aty duhet të gjenden 22 ose 23 trupa. Nuk mund të jem plotësisht i sigurt, sepse ne i kemi të regjistruar me emra dhe mbiemra pjesëtarët e këtij grupi. Në mesin e tyre u vra edhe vëllai i Halit Beranit.
Çuditërisht, shpëtuan vetëm dy persona: një civil nga Kostërci, i cili e drejtonte grupin, dhe Faruk Spahiu, ish-kryetari i LDK-së për Mitrovicën pas lufte. Unë personalisht, si anëtari i tretë i ZKZ-së, e kam marrë në pyetje zyrtarisht pas lufte, por ai nuk ishte i saktë në deklaratën e tij. Më pas, dikush e detyroi të pretendonte se po ushtrohej presion ndaj tij vetëm për shkak të përkatësisë në LDK, gjë që nuk qëndronte. Ai grup prej 23-24 vetësh ishte vënë në arrati drejt Malit të Zi. Kishin paguar dy persona për t’i udhëhequr, por ranë në një pritë të organizuar nga rezervistë serbo-malazezë, ku kishte edhe boshnjakë me uniforma serbe. Këta njerëz u ekzekutuan nga forcat e rregullta dhe rezervistët serbë”, ka deklaruar Miftari për “Bota sot”.
Ai ka treguar më shumë rreth rrethanave të gërmimeve, duke shtuar se askush nuk dëshiron të përballet me të vërtetën. Miftari kujtoi se, me fillimin e sulmeve ajrore, UÇK-ja kishte paralajmëruar intelektualët, mjekët, profesorët dhe veprimtarët në Mitrovicë e Vushtrri që të tërhiqeshin drejt zonave të kontrolluara nga UÇK-ja dhe t’i bashkoheshin asaj, sepse Serbia kishte një plan për të eliminuar të gjithë shqiptarët e shkolluar dhe me ndikim.
Shumica e atyre që dëgjuan këshillën dhe u bënë pjesë e UÇK-së janë ende gjallë sot. Midis tyre ishte edhe doktor Bajram Rexhepi, i cili iu bashkua Brigadës 142 dhe, si mjek, shpëtoi qindra jetë civilësh dhe ushtarësh. Ai më vonë shërbeu si kryetar i Mitrovicës dhe kryeministër i Kosovës.
“Askush nuk e do të vërtetën. Kështu, një mjek me mbiemrin Berisha ishte paralajmëruar nga pjesëtarët e policisë ushtarake të Mitrovicës se duhej të largohej nga qyteti, pasi ndodhej në listën e objektivave për vrasje të policisë serbe. Ai nuk e dëgjoi thirrjen tonë për t’u evakuuar; ndoshta ishte ndikuar edhe politikisht, duke qenë simpatizant i LDK-së, siç ishte shumica e popullsisë së Kosovës në atë kohë. Ai u vra një ose dy ditë më vonë në Mitrovicë nga policia serbe, e drejtuar nga një polic me emrin Ratko; mbiemri nuk më kujtohet. Megjithatë, ne e kemi të dokumentuar me emra dhe mbiemra, së bashku me dhjetëra policë të tjerë që kryen vrasje të civilëve shqiptarë në Mitrovicë dhe Vushtrri gjatë luftës”, theksoi ish-komandanti.
Në fund, ai përmendi emrat e atyre që kontribuan në shpëtimin e shumë intelektualëve, duke përfunduar se asnjëherë nuk ka ekzistuar vullneti politik për të ndjekur penalisht, zbardhur dhe ndëshkuar tërësinë e krimeve.
“Unë, Naim Miftari, ish-luftëtar dhe epror i UÇK-së, me urdhër të komandës, kam qenë i pranishëm gjatë gjithë periudhës së bombardimeve në Mitrovicë dhe rrethinat e saj. Kam qenë pjesë aktive e rezistencës dhe luftës edhe brenda vetë qytetit të Mitrovicës. Për çdo fjalë, për çdo të dhënë, madje edhe për informacionet e klasifikuara, mbaj përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore para shtetit tonë dhe para Zotit.
Harrova të përmend se në shpëtimin e një numri të madh intelektualësh në Mitrovicë dhe Vushtrri, kontribut të veçantë dhanë komandantët Enver Oruqi, Frahman Rama, Ferki Aliu, Mensur Kosumi, Gani Imeri dhe Besim Zymberi. Deri më sot, nuk ka pasur kurrë vulnet politik, as nga ana e ndërkombëtarëve, as nga politikanët dhe qeveritarët tanë, për të ndjekur, zbardhur dhe dënuar të gjitha krimet, si ato të kryera gjatë luftës, ashtu edhe disa pas saj. Të dhëna për t’i ndjekur penalisht ka pasur me bollëk”, përfundoi Miftari.
