Skuadra nga Klina ka një mbrëmje vendimtare përpara, teksa pret Luganon këtë të mërkurë në sfidën e kthimit për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Të lidhura
None found
Një humbje minimale 1:0 nga takimi i parë në tokën zvicerane e vendos Dukagjinin përballë një sfide të hapur, me besimin se gjithçka mbetet ende në lojë për një vend në turin tjetër.
Dueli që do të zhvillohet në kompleksin e FFK-së në Hajvali shihet si një provë e madhe, teksa vendasit synojnë të aktivizojnë të gjitha armët: energjinë e tifozërisë, terrenin e njohur dhe një performancë të përmirësuar për të mposhtur një rival me bagazh të pasur ndërkombëtar.
Pas një analize të hollësishme të gabimeve të sfidës së parë, klubi kosovar premton më shumë kujdes në prapavijë dhe një prani më të theksuar në zonën kundërshtare, me qëllimin e vetëm për të kthyer mbrapsht disavantazhin.
Për Dukagjinin, kjo është vetëm dalja e dytë në arenën e garave evropiane. Në sezonin 2023/24, gjatë debutimit absolut, ekipi arriti të kalojë raundin e parë kualifikues, por u përball me ndalesën pikërisht në raundin e dytë të kësaj lige.
Një sukses ndaj Luganos do të shkruante një nga kapitujt më të shndritshëm në historinë e klubit, duke i siguruar një biletë për në fazën pasardhëse, ku pret fituesi i përballjes mes Runavikut dhe Koperit.
