Vala e re e të nxehtit përvëlues ka përshkallëzuar krizën e zjarreve në jugperëndim të Francës, teksa mijëra forca zjarrfikëse po luftojnë pa pushim për të frenuar flakët që kanë kapluar rajonin e Girondës.
Të lidhura
None found
Paralajmërimet nga autoritetet franceze theksojnë se temperaturat mund të ngjiten deri në 40 gradë Celsius, duke shtuar ndjeshëm mundësinë e zgjerimit të vatrave. Vetëm të martën, shpërthime të reja u regjistruan në 14 zona të cilat ishin përfshirë edhe më parë nga zjarri.
Në terren janë dislokuar rreth 2 mijë luftëtarë të flakëve, ndërsa përballjen me zjarrin, zëdhënësi i federatës kombëtare të zjarrfikësve e cilësoi si një betejë të Davidit kundër Goliathit. Ai bëri të ditur se gjatë javëve të fundit, katër zjarrfikës kanë humbur jetën në Francë.
Si pasojë e zjarreve, mbi 220 mijë persona janë detyruar të braktisin banesat në të gjithë vendin, përfshirë rreth 4 mijë pushues që u evakuuan vetëm nga zona e Lacanau. Deri tani, flakët kanë përpirë rreth 240 shtëpi.
Megjithëse qyteti i Bordeaux nuk ndodhet nën kërcënim të menjëhershëm, reja e dendur e tymit ka rënduar masivisht cilësinë e ajrit. Qytetarët dhe vizitorët janë shtrënguar të vendosin maska, teksa një pjesë e restoranteve dhe aktiviteteve tregtare e kanë ndërprerë punën.
Përtej kufijve francezë, gjendja mbetet po aq alarmante në Spanjë dhe Portugali, ku nxehtësia ekstreme dhe thatësira po nxisin përhapjen e vatrave zjarrëse. Ndërkohë në Francë, prej fillimit të korrikut janë arrestuar 184 persona nën dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
