Bota e futbollit ndodhet përballë një krize të thellë. Diskutimet për një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës janë intensifikuar mes përfaqësueseve dhe federatave evropiane, nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk tërhiqet nga synimi për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë të aksioneve të organizatës më të fuqishme të futbollit planetar.
Propozimi i kreut të FIFA-s për të hapur kapitalin e institucionit qeverisës ndaj kapitalit privat ka ndeshur në një mur kundërshtie të ashpër nga elita e futbollit evropian.
Të lidhura
None found
Shqetësimi kryesor buron nga frika e një komercializimi të skajshëm të disiplinës dhe humbjes së autoritetit mbi turnetë më prestigjioze.
Për të unifikuar pozicionet dhe për të vendosur mbi veprimet e ardhshme, anëtarët e UEFA-s do të mblidhen këtë javë në një takim të jashtëzakonshëm.
Nëse kombëtaret e kontinentit të vjetër e vënë në jetë këtë kërcënim dhe tërhiqen nga Botërori, turneu do të pësonte goditjen më të rëndë në historinë e tij për sa i përket reputacionit.
Një tërheqje e disa prej skuadrave më të fuqishme të globit do ta fuste kompeticionin në një krizë të jashtëzakonshme dhe do të minonte rëndë marrëdhëniet tashmë të acaruara mes UEFA-s dhe FIFA-s.
Organi drejtues i futbollit evropian e ka bërë të qartë kundërshtinë e saj të prere ndaj planeve të supozuara të presidentit të FIFA-s për të shitur aksione të Kupës së Botës me vlerë 15 miliardë paund, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përgatiten për skenarët e ardhshëm.
Në një komunikatë të ashpër, UEFA e përcaktoi këtë nismë si një “vijë të kuqe” dhe theksoi se një lëvizje e tillë do të ishte krejtësisht e papranueshme për të gjithë opinionin futbollistik.
