Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt, ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e shpalli të pafajshëm në kuadër të procesit të njohur si rasti Drenica. Ky aktgjykim lidhet me aktakuzat e ngritura dikur nga Prokuroria e EULEX-it.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë publike, Lushtaku theksoi se gjykata konfirmoi pafajësinë e tij edhe për akuzat që kishin të bënin me pretendimin për ndikim te dëshmitarët në rastin “Drenica 1”. Ai e cilësoi këtë si mbylljen e një cikli të gjatë e sfilitës, i cili nisi para 13 vjetësh.
“Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm”, shprehet Lushtaku në reagimin e tij.
Ai shtoi se edhe këtë herë, si në të gjitha rastet e mëparshme, drejtësia vërtetoi pafajësinë e tij, duke e shpallur të pafajshëm për secilën akuzë. Lushtaku nuk nguroi të ndajë edhe mirënjohjen e tij për të gjithë ata që e mbështetën.
“Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë. Falënderoj familjen time, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë qytetarët që më kanë qëndruar pranë e nuk e kanë humbur asnjëherë besimin tek unë. Mbështetja juaj e vazhdueshme ka qenë forca ime gjatë gjithë kësaj periudhe. Faleminderit përjetësisht”, përfundon deklarata e tij.
