Ish-kryeministri Nikola Gruevski nuk u largua për në Hungari drejtpërdrejt nga banesa e tij, por fillimisht u nis nga qyteti i Ohrit. Sipas pretendimeve, ai qëndroi në hotelin “Royal View”, i cili gjendet në bregun e Liqenit të Ohrit, dhe u largua prej andej më 10 nëntor 2018, në orën 02:40 të mëngjesit.
Këto pohime i bëri ish-sportisti maqedonas Aleksandar Malenko gjatë një interviste në emisionin “Në Qendër” me gazetarin Vasko Eftov. Malenko, i cili ishte i pranishëm në hotelin e ish-bashkëshortes së tij, tregoi se e priti personalisht Gruevskin atje. Ai shtoi se Gruevski u largua nga hoteli në orët e para të mëngjesit dhe shkoi në fshatin Lubanishtë të Ohrit. Aty, një skaf e priste për ta kaluar në anën shqiptare, në Tushemishtë. Malenko shpjegoi se distanca kufitare në atë zonë është shumë e shkurtër, vetëm 2 kilometra deri në zonën e Pogradecit. Në territorin shqiptar, shoferi i tij e priste me një automjet Passat për të vazhduar më pas rrugën drejt ambasadës hungareze në kryeqytetin Tiranë, raporton INA.
Të lidhura
None found
Malenko pohoi gjithashtu se ai vetë e hapi garazhin e hotelit për të lejuar daljen e Gruevskit. Ish-kryeministri u largua me një “Volkswagen Passat” të drejtuar nga shoferi i tij, ndërsa në automjet ndodheshin edhe efektivë të sigurimit të tij personal. Anëtarët e familjes së Gruevskit, përfshirë bashkëshorten dhe vajzat, qëndruan në hotel dhe nuk e shoqëruan atë në largim.
Më vonë, Gruevski arriti në Budapest të Hungarisë në rrethana ende të paqarta, pas një itinerari që përfshiu Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Autoritetet në Maqedoni nisën një hetim për ngjarjen, por askush nuk u mbajt përgjegjës për arratisjen.
Sipas rrëfimit të Malenkos, Gruevski kishte mbërritur në Ohrid tri ditë para arratisjes, konkretisht në mbrëmjen e 7 nëntorit 2018. Ai udhëtoi me dy makina: një mjet zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Drejtoria e Gjashtë, përgjegjëse për sigurimin dhe përgjimin, si dhe automjetin e tij privat me shofer dhe truproje. Gruevski erdhi i shoqëruar nga familja dhe Malenko i priti ata në garazhin e hotelit. Vizita ishte paralajmëruar sipas protokolleve të MPB-së si një qëndrim për mysafirë VIP, pa specifikuar identitetin e personit, çka përbën një procedurë të zakonshme sigurie./INA/
