Dalja e parakohshme e Brazilit nga Botërori 2026 e ka vënë sërish në qendër të diskutimeve fatin e Neymarit. Pas disfatës përballë Norvegjisë në raundin e 1/8-ave, ylli brazilian sugjeroi se aventura me përfaqësuesen ka përfunduar.
Të lidhura
None found
Megjithë shpresat e ngjallura nga ardhja e trajnerit Carlo Ancelotti, “Seleção” dështoi të thyejë mallkimin dhe të fitojë trofeun e gjashtë, i cili i mungon që prej vitit 2002.
Deklaratat e tij pas takimit u perceptuan menjëherë si një përshëndetje drejt fanellës verdheblu. “U përpoqa. Çdo gjë nisi këtu dhe këtu mbyllet. Ka marrë fund”, tha ai, sipas raportimeve të Globo Esporte dhe UOL. Nëse këto fjalë nuk tërhiqen, Neymar do ta lërë kombëtaren si shënuesi më i mirë në histori, me 80 gola, duke tejkaluar mitin Pelé.
Një raport i gazetës spanjolle Marca, i mbështetur në burime të portalit brazilian Bitbol, nënvizon se Neymar po përjeton një periudhë jashtëzakonisht të rëndë dhe se u shfaq i përlotur në përfundim të sfidës.
Edhe përtej lamtumirës me kombëtaren, dilema të thella shoqërojnë edhe të ardhmen në rang klubesh. Ai është i lidhur me Santos deri më 31 dhjetor 2026, por mediat vendase raportojnë se lojtari është “i rraskapitur nga futbolli” dhe po e konsideron tërheqjen si një alternativë reale.
Aktualisht, braziliani shqyrton tre rrugë: të qëndrojë te Santos derisa kontrata të përfundojë; ta ndërpresë marrëveshjen për t’iu bashkuar një kampionati me nivel më të ulët presioni; ose t’i japë fund përfundimisht aktivitetit si futbollist.
Vitet e fundit, dëmtimet e përsëritura e kanë frenuar të gjejë formën më të lartë, ndërsa kritikat pas dështimeve të Brazilit kanë ndikuar edhe në anën e tij psikologjike. Në një intervistë për Cazé TV disa muaj më parë, Neymar kishte pranuar se e ardhmja do të vendosej vetëm pas Botërorit.
Presionet nuk vijnë vetëm nga fusha e lojës. Sipas Marcës, brenda klubit të Santos ekziston mendimi se Neymar është i prirur drejt pensionimit, por babai i tij ushtron trysni që ai të mos ndalet, për të respektuar kontratat me sponsorët. Disa burime afër ekipit lënë të kuptohet se raportet me shokët dhe zyrtarët nuk kanë qenë gjithnjë harmonike, teksa janë ngritur dyshime për aftësitë e tij drejtuese në dhomat e zhveshjes.
Për momentin, drejtuesit e Santos nuk kanë hedhur asnjë lëvizje konkrete dhe presin verdiktin final të lojtarit. Tifozët ushqejnë ende shpresë se ikona e futbollit brazilian do të mbetet të paktën deri në fund të kontratës, për të kontribuar në garat vendëse dhe kontinentale. Sido që të jetë, vendimi i tij do të vulosë fundin e një epoke, si për futbollin e Brazilit ashtu edhe për atë ndërkombëtar.
