Roberto Mancini do të ulet sërish në stolin e kombëtares italiane, raportojnë burime të agjencisë ANSA. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malago, gjatë një seance të këshillit drejtues të institucionit.
Për trajnerin 60-vjeçar ky shënon mandatin e dytë në krye të “Azzurrëve”. Në periudhën e tij të parë, Mancini e udhëhoqi skuadrën drejt kurorëzimit në Euro 2020, por pësoi një goditje të rëndë duke mos siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022. Më 2023, ai i dha fund bashkëpunimit me Italinë për të marrë frenat e Arabisë Saudite, një eksperiencë që përfundoi pa rezultatet e pritura.
Të lidhura
None found
Aktualisht, Mancini është i lirë në treg, pasi aventura e tij më e fundit ishte me klubin kataras Al-Sadd.
Rikthimi i tij vjen si zgjidhje e Federatës Italiane pas përpjekjes së dështuar për të emëruar Andrea Pirlon. Ish-regjisori i Milanit dhe Juventusit konsiderohej si kandidati kryesor për postin, sidomos pasi Pep Guardiola kishte refuzuar ftesën vetëm pak ditë më parë.
Sidoqoftë, mediat shkruajnë se presidenti Malago vuri veton ndaj Pirlos për shkak të reagimeve negative që shkaktoi bashkëpunimi i tij me Fonbet, një agjenci bastesh me origjinë ruse.
Ky vendim solli për pasojë dorëheqjen e drejtorit teknik të FIGC-së, Paolo Maldini, dhe këshilltarit Leonardo, të cilët kishin marrë detyrën më pak se tre javë më parë. Si zëvendësim, pritet që postin e drejtorit teknik ta marrë Claudio Ranieri, ish-trajneri i Leicester Cityt dhe Romës.
