Teknologjia e drejtimit autonom të Nivelit 3 u jep mundësinë shoferëve që në kushte të caktuara, si në autostrada, t’ia besojnë plotësisht kontrollin automjetit, duke i lënë të lirë të heqin duart nga timoni e të ndërpresin përkohësisht mbikëqyrjen e rrugës.
Të lidhura
None found
Prodhuesi më i madh evropian i automobilave njoftoi të mërkurën se synon të hedhë në tregun kinez modelet e para me këtë aftësi gjatë vitit të ardhshëm, në një përpjekje për të ecur në të njëjtin ritëm me zhvillimet e shpejta teknologjike të sektorit.
Shpërndarja e këtyre veturave tek klientët është parashikuar të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Për të realizuar këtë objektiv, kompania gjermane po thellon bashkëpunimin me firmën kineze të teknologjisë Horizon Robotics. Si rrjedhojë, sipërmarrja e tyre e përbashkët Carizon, e themeluar në vitin 2022, do të ketë akses në modelin e inteligjencës artificiale të Horizon Robotics, çka sipas Volkswagen do të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e sistemeve të vetëdrejtimit.
Kina po shndërrohet në një lider global në integrimin e këtyre zgjidhjeve në makinat e prodhimit masiv, me disa prodhues që tashmë po i testojnë sistemet në rrugë publike. Madje, në disa qytete kineze operojnë edhe shërbime robotaksi krejtësisht pa shofer.
Fakti që gjigandi gjerman ka vendosur të debutojë me Nivelin 3 pikërisht në Kinë tregon se tregu më i madh botëror i makinave po dikton ritmin e veçorive të drejtimit pa ndërhyrjen njerëzore. Kjo situatë po i detyron prodhuesit e huaj të mbështeten gjithnjë e më shumë te partneritetet lokale teknologjike për të mbetur konkurrues.
Ndërsa në Gjermani, markat rivale si Mercedes-Benz dhe BMW kishin ofruar më parë funksione të Nivelit 3 në disa prej modeleve të tyre luksoze, por të dyja i kanë pezulluar tashmë këto programe. /DPA News
