Ishulli Kyushu në jug të Japonisë u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.8, i cili shkaktoi plagosjen e së paku 50 personave dhe dëme në struktura të ndryshme si ndërtesa, rrugë dhe ura.
Të lidhura
None found
Dridhjet u ndjenë gjatë orëve të pasdites me orën lokale dhe në vijim, autoritetet udhëzuan mbi 150 mijë banorë të lëviznin drejt qendrave të evakuimit.
Fillimisht, Agjencia Meteorologjike Japoneze aktivizoi një paralajmërim për cunami në zonën e Gjirit Ariake, pranë bregdetit të Kumamotos, por e anuloi atë pak më vonë. Popullsia u paralajmërua të qëndronte larg bregdetit, pasi pritej një dallgë deri në një metër të lartë.
Kryeministrja e vendit, Sanae Takaichi, bëri të ditur se pasojat e tërmetit përfshijnë dëmtim të infrastrukturës, ndërprerje të furnizimit me energji dhe shpërthim të disa vatrave zjarri.
Rreth 40 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, sipas të dhënave zyrtare. Në qytetin e Kumamotos, disa qytetarë kanë ngelur të bllokuar brenda një qendre tregtare si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet.
Autoritetet janë ende duke vlerësuar numrin e saktë të viktimave dhe shkallën e plotë të dëmeve. Derdhja e parë e informacionit e kishte regjistruar lëkundjen me magnitudë 7.1, por Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara e rishikoi më pas në 6.8.
