Një seri incizimesh zanore të ish-presidentit Joe Biden, të cilat ai ishte përpjekur t’i mbante sekret gjatë viteve, janë shpërndarë së fundmi nga ligjvënësit republikanë në Kongres.
Në këto audio, Biden dëgjohet teksa konfirmon se mbante ende dokumente të klasifikuara pas përfundimit të mandatit si zëvendëspresident i SHBA-së.
Të lidhura
None found
Materialet përmbajnë dialogë mes Bidenit dhe autorit Mark Zwonitzer, i cili po e ndihmonte për shkrimin e librit të tij të kujtimeve të botuar në 2017, “Promise Me, Dad”. Regjistrimet janë kryer gjatë fazës së punës për këtë botim.
Në një fragment të incizuar në shkurt 2017, vetëm një muaj pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, zëri i tij dëgjohet qartë: “Sapo gjeta të gjitha materialet e klasifikuara poshtë. Bëj kujdes”.
Një bisedë tjetër, e regjistruar në tetor 2016 kur ende shërbente në administratën Obama, e kap atë duke i thënë bashkëpunëtorit: “Kam shënime të shumta nga kjo periudhë… Ata (Shtëpia e Bardhë) nuk e dinin që i kisha këto.”
Këto regjistrime u bënë publike pas një beteje të gjatë në gjykata të nisur nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe grupi konservator Oversight Project. Ato ishin pjesë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë në 2024, që shqyrtoi mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara nga ana e Bidenit.
Zëdhënësi i tij, TJ Ducklo, reagoi ashpër ndaj këtij publikimi, duke e quajtur atë një rast të ri të instrumentalizimit politik të sistemit të drejtësisë.
“Kjo është e gabuar dhe, megjithëse ish-presidenti nuk e miraton vendimin e sotëm, ai e respekton gjyqësorin dhe funksionin thelbësor të një sistemi të pavarur në një demokraci të shëndoshë”, u shpreh ai.
Inçizimet zgjasin mbi dy orë dhe kanë pjesë që janë errësuar. Anëtarët republikanë të Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve ngrenë pretendimin se këto redaktime janë bërë për të mbuluar momentet kur Biden flet për nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara.
Në 2024, prokurori i posaçëm Robert Hur i mori këto audio dhe transkriptet përkatëse gjatë hetimit të tij. Ai doli në konkluzionin se Biden kishte ruajtur në mënyrë të parregullt disa materiale të klasifikuara, por nuk sugjeroi akuza penale.
Sipas raportit të Hur, një faktor ishte se një juri popullore mund ta perceptonte Bidenin si “një burrë të moshuar, dashamirës dhe me kujtesë të dobët”.
