Franca dhe Spanja po vijojnë të goditen nga zjarre të përmasave të mëdha, të cilat kanë detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga banesat.
Të lidhura
None found
Në të dyja shtetet janë evakuuar deri tani më shumë se 295 mijë persona. Mijëra zjarrfikës, me mbështetjen e avionëve dhe helikopterëve, po përpiqen të vënë nën kontroll flakët, përhapja e të cilave po ndihmohet nga nxehtësia ekstreme, thatësira dhe erërat e fuqishme.
Gjendja më kritike paraqitet në jugperëndim të Francës. Zjarri në rajonin Gironde është afruar në rreth 15 kilometra nga Bordeaux, ndërsa afro 220 mijë persona janë evakuuar dhe qindra shtëpi kanë përfunduar të shkatërruara. Presidenti Emmanuel Macron ka thirrur qeverinë në një mbledhje urgjente. Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat mund të shkojnë deri në 37 gradë Celsius, çka shton mundësinë që vatrat të zgjerohen më tej.
Situata mbetet e rëndë edhe në Spanjë, ku mbi 75 mijë banorë janë larguar nga zonat e rrezikuara, ndërsa rreth 30 mijë të tjerë kanë marrë urdhër të mos dalin nga shtëpitë. Vatrat kryesore janë përqendruar pranë Madridit dhe në rajonin e Valencias. Në provincën Ávila, zjarri ka përpirë më shumë se 50 mijë hektarë dhe vlerësohet si një ndër më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës.
Për shkak të shkallës së krizës, qeveria spanjolle ka aktivizuar ndihmën europiane dhe ka shpallur emergjencën kombëtare.
Krahas përhapjes së zjarreve, Franca është goditur edhe nga një tjetër dukuri ekstreme. Shirat e dendur kanë sjellë përmbytje në disa pjesë të vendit, duke futur nën ujë rrugë, shtëpi dhe biznese. Ekipet e emergjencës kanë kryer dhjetëra ndërhyrje për të evakuuar banorët dhe për të rikthyer normalitetin, ndërkohë që autoritetet bëjnë të ditur se kushtet e paqëndrueshme atmosferike mund të vijojnë edhe gjatë orëve të ardhshme.
