Peter Sorensen, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, qëndroi pa paralajmërim në Prishtinë, ndërsa mes Kosovës dhe BE-së vazhdojnë dallimet rreth mundësisë së kthimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në institucionet e drejtësisë.
Të lidhura
None found
Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por pas tij nuk foli para mediave.
Kurti bëri të ditur se trajtimi i kësaj çështjeje duhet të mbështetet në Kushtetutën dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës. Ai nënvizoi se pavarësia institucionale dhe sundimi i ligjit janë parimet bazë mbi të cilat duhet të merret çdo vendim.
Sipas deklaratës së publikuar nga zyra e tij, Kurti i tha Sorensenit se dorëheqjet e përbashkëta të katër viteve më parë, në veri të Ibrit, synonin ta dëmtonin karakterin shumetnik të sistemit demokratik të Kosovës. Ai theksoi se rruga e mëtejshme përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, çka në sistemin gjyqësor kërkon njëkohësisht mbrojtjen e shumetnisë, pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë.
Analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, tha se kërkesat për rikthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë burojnë nga presioni i Serbisë.
Në vlerësimin e tij, largimi i tyre nga institucionet kosovare ndodhi nën ndikimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj atyre nuk duhet t’u mundësohet kthimi.
Mehmeti u shpreh se Sorensen ka ardhur pas trysnisë së Serbisë dhe pretendimeve të saj se prokurorët e gjyqtarët serbë po përndiqen në baza etnike në Kosovë. Sipas tij, i dërguari evropian ka kryer rolin e vet duke sqaruar se një përndjekje e tillë nuk ka ndodhur, ndërsa e gjithë çështja është pjesë e lojërave të Serbisë.

Ai i cilësoi prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë ata që u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës si njerëz që vepruan për shkak të ndikimit të Vuçiqit. Sipas Mehmetit, ata ishin përdorur si mjete të tij dhe ishin urdhëruar prej tij të largoheshin, prandaj nuk duhet të rikthehen në institucionet kosovare.
Një vendim i tillë, sipas analistit, do t’u përcillte serbëve të tjerë mesazhin që t’i drejtohen Prishtinës dhe t’u besojnë institucioneve të Kosovës, në vend se të orientohen nga Beogradi. Ai tha se kushdo që zgjedh Beogradin do të përballet me të njëjtin përfundim.
Mehmeti kërkoi që institucionet e Kosovës të mos bëhen pjesë e trysnive politike, qofshin ato të brendshme apo ndërkombëtare. Për të, pranimi i dorëheqjeve dhe moslejimi i tërheqjes së tyre përbëjnë zgjidhjen e drejtë, ndërsa çdo vendim tjetër do të ishte skandaloz.
Ai shprehu bindjen se gjyqësori kosovar do ta marrë vendimin përfundimtar duke mos ua pranuar këtyre gjykatësve tërheqjen e dorëheqjeve. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të dëshmohej pavarësia e drejtësisë dhe do të bëhej e qartë se për institucionet e Kosovës vendos vetë shteti.
Mehmeti shtoi se edhe Sorensen duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk duhet t’u nënshtrohet presioneve ndërkombëtare. Ai solli si krahasim mundësinë që dikush të ndërhynte në gjyqësorin e vendit nga vjen Sorensen, duke përcaktuar se kush duhet të shërbejë si prokuror apo gjykatës. Në përfundim, ai tha se e vlerëson shumë qëndrimin e Kurtit në këtë rast.
Edhe analisti Artan Nimani e interpretoi vizitën e Peter Sorensenit si pjesë të angazhimit të BE-së në dialogun Kosovë–Serbi dhe në temat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Sipas tij, zhvillimi i takimit larg vëmendjes publike dëshmon ndjeshmërinë e çështjes dhe jo domosdoshmërisht praninë e ndonjë marrëveshjeje të posaçme.

Nimani deklaroi për “Bota sot” se prokurorët, gjyqtarët dhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës u larguan vullnetarisht nga institucionet e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2022. Ai tha se ky veprim erdhi si pasojë e vendimeve politike të Serbisë dhe jo nga ndonjë masë diskriminuese e ndërmarrë prej institucioneve kosovare.
Për këtë arsye, sipas tij, çdo hap që lidhet me kthimin e tyre duhet të shqyrtohet vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, me respektim të plotë të procedurave ligjore dhe të pavarësisë së institucioneve.
Nimani theksoi se bashkëpunimi i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojë, por pa prekur sovranitetin e saj kushtetues. Ai vlerësoi se përfshirja në institucionet kosovare nuk mund të burojë nga marrëveshje politike, por vetëm nga zbatimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve. Sipas tij, ky parim duhet ta udhëheqë çdo veprim pas takimit Kurti–Sorensen.
Në nëntor të vitit 2022, mijëra pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqje nga institucionet e vendit, duke përfshirë komunat, Policinë e Kosovës, gjykatat dhe prokurorinë.
Largimet ndodhën në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat ilegale serbe me targa të Republikës së Kosovës.
