Në një kohë kur Franca dhe Spanja po luftojnë me një gjendje apokaliptike të shkaktuar nga zjarret, tajfuni Noul ka goditur brigjet jugore të Kinës. Mbi 715 mijë banorë janë evakuuar nga autoritetet, ndërsa qindra fluturime janë anuluar në Kinë dhe Hong Kong. Autoritetet kineze e cilësojnë Noul-in si tajfunin më të fuqishëm që ka prekur vendin gjatë këtij viti.
Të lidhura
None found
Tajfuni mbërriti në tokë rreth orës 03:50 të mëngjesit të së dielës. Gjatë zhvendosjes drejt zonave të brendshme të vendit, ai pritet të shoqërohet me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme në disa rajone.
Për shkak të rrezikut nga përmbytjet e menjëhershme, autoritetet kineze kanë aktivizuar shkallën më të lartë të alarmit në disa provinca.
Sipas parashikimit të Qendrës Kombëtare Meteorologjike, pjesa më e madhe e jugut të Kinës do të përfshihet nga reshje të dendura deri shumë intensive. Në zona të caktuara të provincës Fujian parashikohen sasi jashtëzakonisht të mëdha shiu.
Qeveria u ka bërë thirrje strukturave vendore të shtojnë kujdesin në vendet më të ekspozuara ndaj përmbytjeve, përfshirë zonat malore, brigjet e lumenjve, kantieret e ndërtimit, luginat dhe urat.
Gjatë së dielës, shërbimet hekurudhore në provincën Guangdong janë ndërprerë. Në Hong Kong, ndërkaq, janë anuluar rreth 350 fluturime. Të paktën nëntë persona kanë mbetur të lënduar gjatë kalimit të tajfunit, sipas autoriteteve, ndërsa rikthimi gradual i fluturimeve pritet të nisë pasditen e së dielës. Reshjet e sjella nga Noul kanë prekur gjithashtu Tajvanin, veçanërisht pjesët jugore dhe lindore të ishullit, teksa tajfuni po largohet dalëngadalë nga zona.
