Rrëfimi prekës i Alma Liços: Kur mbushja 10 vjeç, internimi na priti me netë tmerri dhe erën e fortë të urinës

Çmenduria e mijëra arrestimeve dhe ekzekutimeve gjeti një justifikim të pjesshëm tek ata që guxonin të sfidonin hapur regjimin, por pasojat mbi fëmijët, nipërit dhe mbarë fisin nuk mund të shpjegohen ndryshe veçse si akt i një mendjeje të sëmurë. Rasti i Alma Liços përfaqëson vetëm një fragment nga mijëra histori të ngjashme internimi.

Ajo ishte një prej atyre vogëlushëve që nuk kuptonte dot pse u shkulën befas nga jeta e qytetit dhe u detyruan të flenë në kasolle të mbushura me parazitë. Edhe sikur të mendojmë se ka pasur fate më tragjike, por kujtimet e atij fëmijërie, përfshirë ditët më të zakonshme, mbeten të pashlyeshme pavarësisht nga vitet e mëvonshme në një jetë normale. Ato ndërtojnë një realitet të ri që të bën të sillesh ndryshe me këdo.

Të lidhura

None found

Alma i shkroi vetë copëzat e kësaj historie. Fillimisht e nisi për hir të saj, më pas për rrethin e ngushtë familjar dhe më në fund vendosi ta bënte publik librin për të gjithë lexuesit. Një pjesë të rrëfimit e ndau edhe në dokumentarin e fundit “Fëmijët e diktaturës”, realizuar nga IDMC, ku katër histori u rikthyen në vendet e ngjarjeve për të treguar të vërtetën e tyre.

Ajo lindi në Tiranë më 1958. I ati ishte biri i një tregtari nga Korça, të cilin regjimi komunist e dënoi me pushkatim. Makthi për familjen e saj nisi në vitin 1968 dhe, për një ironi mizore të fatit, përkonte me ditën kur Alma festonte ditëlindjen e dhjetë. Në imagjinatën fëminore ajo ditë do të ishte krejt ndryshe, por realiteti solli një automjet të zi që u nis në një rrugë të pafund, plot pluhur dhe gropa. Turma fshatarësh e rrethuan makinën, disa të habitur, disa me një lumturi dashakeqe.

E ëma nuk e përballoi dot dhe shpërtheu në vaj. I ati, i dëshpëruar thellë, i tha shoferit se kthimi ishte i pamundur, sepse i priste burgosja. Nata e parë në vendin e internimit ishte një makth i vërtetë. Fshatarët e kishin shndërruar atë ambient në nevojtore, saqë kundërmimi i urinës ishte i padurueshëm. Pa alternativë, tre fëmijët u shtrinë mbi kashtën e mbushur me insekte që binin vazhdimisht mbi trupat e tyre. Ndjesia e tmerrit ishte e jashtëzakonshme. I ati e thirri pranë dhe, për herë të parë në jetë, e ndjeu të domosdoshme t’i shpjegonte çfarë po ndodhte.

I tregoi mbi historinë e gjyshit të saj, një intelektual i arsimuar në Harvard. I foli për ekzekutimin e tij dhe për mënyrën si partia-shtet përndiqte të gjithë kundërshtarët e regjimit komunist. Fshatarët vendas i trajtonin si armiq të popullit, madje edhe kur blinin bukë hasnin në shikime armiqësore. Dukej sikur as ajo gjë nuk u takonte. Me këto qëndrime ajo u përball dhe u rrit në shkollë, duke mos u përzier me fëmijët e tjerë.

Një ditë, një mësuese e vështroi me urrejtje të thellë dhe e kërcënoi: “Mëso sa të duash, se ty kazma të pret!” Dhe vitet në vazhdim dukeshin se po ia vërtetonin atë profeci. Pas dy vitesh jetesë atje, Alma vendosi të rikthehej te gjyshja për arsye shkollimi. E moshuara i rrëfeu se vetëm dy ditë pas internimit të familjes, këshilli i lagjes kishte çuar në shtëpinë e saj një njeri me çrregullime mendore për ta strehuar. Kishin kaluar dy vite që bashkëjetonte me të, ndërsa dyerve i ishin shtuar shula të rinj.

Ajo rifilloi mësimet në të njëjtën shkollë, por shokët e klasës kishin ecur normalisht, ndërkohë që ajo nuk ndihej më si ata. Shmangej nga çdo aktivitet që nxiste biseda. Lidhi miqësi të fortë me një vajzë, e cila dhe familja e saj u bënë përkrahësit e përhershëm të Almës dhe të afërmve të saj. Në të tetën, gjyshja ndërroi jetë dhe ajo mbeti plotësisht vetëm, por ishte pikërisht ajo familje që e mori në përkujdesje. Arriti të niste shkollën e mesme me shumë mundim, por kreu vetëm vitin e parë, sepse e përjashtuan. Profecia e mësueses po e ndiqte hap pas hapi. E caktuan të punonte në një serë domatesh.

Përtej vështirësive të punës, haste dhe cinizmin e kolegeve. Pasi u prishën disa domate, ajo thirri teknikun e fermës, i cili e akuzoi drejtpërdrejt për sabotim – një fjalë që në atë kohë ishte baras me dënimin me vdekje. Por për fatin e saj, mbërriti një ekspert që vlerësoi se shkaku ishte thjesht uji i tepërt. Madje, në ditën e saj të parë të votimit, pasi një person i armatosur kaloi afër, i bënë shenjë se do t’i jepnin një letër të shkruar, të cilën ajo duhej ta paloste dhe ta fuste në kuti pa e lexuar.

FRAGMENT NGA LIBRI

E vendosur në periferi të fshatit, në shikim të parë ngjante si çdo kodrinë tjetër. Ishte qershori dhe bari i gjelbër mbulonte çdo cep. Atë mrekulli të njëtrajtshme e thyenin vetëm pllakat e gurta që dalloheshin nga larg. Poshtë asaj kodrine ndodheshin varrezat e fshatit. Pa mëdyshje, ata gurë të heshtur i dhuronin peizazhit një pamje trishtuese. Gjithandej mbretëronte qetësia.

Nuk dëgjohej asnjë blegërimë, asnjë lehje qeni a thirrje e gëzueshme fëmije. Heshtje e akullt që pasonte lamtumirat e përjetshme në atë vend. Jetë të ndërprera nga shkaqe natyrore ose nga mizoria, ashtu siç rrjedh jeta me misteret dhe surprizat e saj të papritura. Megjithatë, ajo ditë ishte e veçantë për atë vend ndarjesh pa kthim. Ai që po përcillet në banesën e fundit ishte një fëmijë vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Trupi i tij i vogël prehej në një arkivol të bardhë, që kishte arritur atë mëngjes në aeroportin e Rinasit nga shumë larg.

Fati deshi që të isha e pranishme në atë procesion të dhembshëm dhe tragjik. Teksa vështroja qindra njerëz të hidhëruar, kuptova se të gjitha përvojat e jetës kanë gjuhët e veta, por dhimbja për humbjen e një fëmije flet gjithmonë me gjuhën e lotëve. Ato pika të kristalta rrjedhin mbi fytyra të sfilitur nga dëshpërimi, ose përpiqen të gëlltiten mes gulçeve që gati sa nuk mbyten në pellgun e tyre.

Mes turmës së të afërmve dhe fshatarëve, binin në sy dy prindërit e djalit të ndjerë. Ata rrinin si statuja të ngrira, të kërrusur mbi arkivol. Ishin fundosur në një realitet të akullt, i cili ua kishte paralizuar çdo qelizë. Ç’kishte ndodhur vallë? Si ishte ndërprerë kaq shpejt jeta e atij vogëlushi fatkeq?

Teksa i shikoja të shkatërruar nga vuajtja, përpiqesha të kuptoja peshën e ndërgjegjes së fajshme në atë përjetim shkatërrues. Në një farë forme, ai fëmijë ishte braktisur prej tyre. Varfëria dhe pasiguria për të ardhmen i kishin shtyrë ata prindër drejt atij veprimi dëshpërimisht të dhimbshëm. Fenomeni i largimit të të miturve nga gjiri i familjes po shtrihej si një epidemi shfarosëse. Në kërkim të një jete më të denjë, arsimimi dhe një të ardhmeje më të sigurt, qindra prindër endeshin nëpër rrugët e Europës mbas Qendrave sociale të përkujdesjes për fëmijë, duke i braktisur pranë mureve të tyre.

Kështu, pas një udhëtimi të mundimshëm, ai baba i dëshpëruar, i paaftë për të ushqyer katër fëmijët e tij, e la të vetëm, si një zog të ndrojtur, në hyrjen e një Qendre të tillë. Djali ishte i parëlinduri i familjes. Duke parë se qindra bashkëqytetarë e kishin ndjekur “me sukses” të njëjtën rrugë, pse të mos e provonte edhe ai? A nuk ia kishin mbyllur derën në fytyrë institucionet shëndetësore kur kishte kërkuar ndihmë për bashkëshorten e sëmurë?

Strukturat sociale të këtyre Qendrave i merrnin menjëherë në mbrojtje fëmijët e vetmuar, duke përmbushur çdo nevojë imediate. Të gjorin vogëlush, prindërit e kishin shtrënguar të thoshte përmendsh se, gjatë kërkimit të një miku të familjes në atë qytet, ishte ndarë pa dashje nga i ati. Pra, kishte humbur rrugën. Më pas, përballë përkthyeses, ai identifikon veten dhe familjen me emra të rremë. Barra e gënjeshtrave i rëndonte mbi qepalla dhe nuk guxonte të shikonte askënd në sy.

Kështu, mundësia për të kontaktuar familjen dhe për ta rikthyer në shtëpi ishte gati e pamundur. E imagjinoja atë fëmijë, të ndruajtur dhe të ndrydhur nga braktisja dhe mashtrimi, të tmerruar përballë së panjohurës, të rrethuar nga të huaj që, megjithë përkujdesjen, mbeteshin persona të panjohur. Për më tepër, ata nuk flisnin fare gjuhën e tij. Si kish mundur ta bindnin atë fëmijë të pranonte një rritje larg dashurisë dhe vëmendjes prindërore? Një kompromis mizor për të voglin, që ai as që e kuptonte.

Thjesht e kishin mësuar të bindej. Në fund të fundit, ishin ata që vendosnin për të ardhmen e tij. Ai ishte veçse një fëmijë që nuk mund ta dinte se çfarë ishte e mirë apo e keqe për veten. Ndërsa mendoja me zemër të copëtuar për atë braktisje tragjike, m’u kujtua një histori e lexuar dikur. Protagonist ishte një tjetër djalosh, që pati fatin të përjetonte dashurinë dhe kujdesin e të atit vetëm një herë në jetë.

Në fakt, ajo kishte qenë një ditë e keqe për të, pasi duke u ngjitur në një pemë ishte rrëzuar e kishte thyer rëndë këmbën. Mirëpo përkushtimin e të atit e shijoi aq shumë, sa i gjori fëmijë lutej me gjithë zemër të thyente prapë ndonjë gjymtyrë. Ehhh! Nuk e di pse më erdhi ndërmend kjo ngjarje, ndoshta për peshën e dashurisë prindërore të copëtuar.

Të them të drejtën, nuk dyshoja që djaloshi fatkeq kishte marrë gjithë kujdesin e duhur në Qendër, me përjashtim të asaj ndjesie hyjnore e të pazëvendësueshme: dashurisë familjare. Nuk mund ta dija sa net e kishte ëndërruar të flinte pranë së ëmës, teksa ajo i përkëdhelte flokët. Nuk mund ta imagjinoja sa herë kishte dashur të vraponte i gëzuar nëpër livadhet e fshatit të tij, i ndjekur nga vëllezërit më të vegjël.

Nuk mund ta mendoja sa herë i kishin munguar mësuesit që flisnin gjuhën e tij dhe miqtë e shkollës. Por, fatkeqësisht, ajo që dija me siguri ishte se pak muaj pas mbërritjes në atë Qendër, një sëmundje e menjëhershme fatale e kishte shuar djalin e mjerë. I mbërthyer në një shtrat spitalor, mes makinerishë, ai mbylli sytë larg familjes dhe njerëzve të tij të dashur. Nuk qe aspak e thjeshtë të përcaktohej se cilës familje i përkiste vogëlushi. Teksa trupi i pajetë pushonte në morg, procedurat e verifikimit të origjinës zgjatën rreth tri javë. Njëzet ditë pafundësisht të gjata për të gjetur banesën e tij të fundit.

U shkëputa nga ai mendim i dhembshëm dhe vështrimi m’u fiksua përsëri mbi arkivolin e bardhë dhe prindërit e kërrusur mbi të. Ndërkaq, rrezet e diellit reflektonin mbi sipërfaqen e tij të shkëlqyeshme, duke e përkëdhelur butësisht. Ai shndrit i ngjante një lamtumire të zbehtë, që mundohej të zbutte trishtimin e humbjes. Lot, heshtje dhe përsëri lot. Mes vajtimesh dhe ngashërimesh, pak çaste më vonë, arkivoli u zhduk në gropën gëlltitëse për të pushuar amshimisht në kodrinën e blertë të fshatit të lindjes. Disa dorë dheu nga toka e butë dhe gjithçka dukej se kishte marrë fund. Por a përfundoi vërtet? Aspak.

Peizazhi i dhembjes dhe i lotëve ishte i stampuar në fytyrat e të gjithë të pranishmëve në atë ceremoni mortore. Bilanci ishte rrënqethës. Një fëmijë i braktisur në një vend të huaj. Një jetë e pajetuar, e fikur në një dhomë anonime spitalore. Pa asnjë të afërm pranë, pa asnjë fjalë të ngrohtë, pa asnjë ledhatim. Dy prindër të dërmuar, plagët e të cilëve s’do të shërohen kurrë. Varfëri, mungesë perspektive dhe shprese. Asnjë angazhim serioz nga shteti për të luftuar urinë dhe për të garantuar minimumin jetik, rrjedhimisht… Qindra të dëshpëruar që ndjekin të njëjtën rrugë në labirintet e botës… Deri kur do ta lejojmë këtë situatë?

PUNËSIMI PËRFUNDIMTAR

Siç ishte paralajmëruar, disa ditë më vonë u regjistrova përfundimisht në punë. Do të mundohesha në të njëjtën brigadë me prindërit e mi. Më duhej të isha mirënjohëse dhe ta shihja si favor. Së paku nuk do të isha e izoluar në një mjedis krejtësisht të padëshiruar dhe aspak mikpritës. Gjendesha përballë një të vërtete, të cilën gradualisht e kisha pranuar, dhe pasojat i prisja si një dënim pa të drejtë apelimi.

Megjithëse u përpoqa të flija më herët se zakonisht, atë natë gjumi nuk më vinte. Koha kur flija me libra dhe çantën e shkollës pranë kresë i përkiste tashmë të shkuarës. Prindërit duhej të më zgjonin shumë herët nga minderi që shërbente si krevat, për të mos humbur orarin e nisjes së punës. Kohëzgjatja e saj matej me lindjen dhe perëndimin e diellit. Makth!… ajo stinë kishte rreth 14-15 orë ditë. O Zot!… A do t’ia dilja dot asaj skllavërie me orar të plotë?

Pasi prindërit e mi e kishin përballuar, përse nuk do t’ia dilja unë që isha e re dhe e shëndetshme? Ehhhhh! Vërtet që ata e kishin duruar atë jetë stërlodhëse, por brenda pesë vitesh ishin plakur sa për pesëmbëdhjetë. Teksa i shihja të rraskapitur, të kërrusur, me fytyra të nxira dhe buzë të çara, me trishtim vëreja se ata tërhiqeshin zvarrë në atë kalvar të dhimbshëm dhe kjo më copëtonte shpirtin.

Ishin transformuar tërësisht. Dolëm nga shtëpia në errësirë. Secili mbante varur në krah një trastë me pak ushqim dhe një shishe uji. Për t’u ambientuar me kushtet e punës, kisha pranuar veshjen qesharake të pantallonave me fustan përsipër. Por ajo që nuk pranoja dot ishte mbështjellja me napë në kokë. Mamaja ime ishte mësuar ta mbante. Më këshilloi ta vendosja edhe unë, pasi nuk duhej të dallohesha nga gratë e tjera, gjë që mund të më shkaktonte telashe.

E kundërshtova me kokëfortësi. Edhe pa filluar puna, unë po rebelohesha. Me nerva, përgatita një lloj kapeleje prej basme, me strehë kartoni. Ishte tepër e nevojshme për t’u mbrojtur sadopak nga dielli përvëlues. Rrugës na përshëndetën disa fshatarë, të cilët vështronin me kureshtje kapelen time. Më në fund arritëm në atë që quhej qendra e brigadës. Ajo përbëhej nga një tendë e mbuluar me kashtë dhe njëfarë dhome e ndërtuar me kallama. Për të mbushur boshllëqet midis tyre ishte përdorur baltë e përzier me bajga lopësh.

Kështu, ajo mund të quhej e suvatuar. Kjo mini-stallë e ndarë më dysh shërbente si zyrë e brigadierit dhe si magazinë për veglat e punës. Brenda saj dalloja kazma e lopata me bishta të shtrembër, të hedhura kuturu. Brigadieri, që kishte mbërritur para nesh, priste në këmbë te dera e zyrës i nervozuar për vonimin e punëtorëve.

Megjithatë, u tregua mjaftueshëm i sjellshëm sa për të më uruar mirëseardhjen. Vura re se i kushtonte rëndësi pamjes së jashtme, ishte veshur me rroba të pastra dhe të hekurosura me kujdes. Me sa dukej, katër vitet e shkollës së mesme për agronomi kishin vendosur një standard tjetër tek ai sa i përket imazhit dhe pastërtisë, fundja kishte jetuar disa vjet në qytet. Brenda pak minutash erdhën të gjithë punëtorët. I vështroja me dhembshuri ato fytyra të paushqyera e të dërmuara, duke menduar se tashmë ky do të bëhej imazhi i jetës sime. Nga ky reflektim dëshpërues më tronditi zëri i lartë dhe nervoz i brigadierit.

Me sa dukej, po bënte një analizë të ditës së kaluar të punës, duke e shoqëruar me britma të forta, ofendime dhe kanosje për ata që, sipas tij, nuk e kishin kryer si duhet detyrën. Mbeta e tmerruar nga ai komunikim dhe prisja që dikush të reagonte, të kundërshtonte, madje të bënte diçka. Por më kot. Të gjithë ishin kokulur dhe prisnin që ai të mbaronte për t’u shpërndarë në punët e tyre. Teksa ulërinte, vura re se pranë iu afrua dhe zuri vend me servilizëm një burrë trupshkurtër rreth të pesëdhjetave.

Me zë të ulët, më mori vesh nga mamaja që ai ishte tekniku i brigadës, dhe se gjithë shpërthimi i brigadierit ishte fryt i spiunazhit të tij. Nuk ishte e vështirë të lexoje gëzimin dashakeq në sytë e tij të zbehtë, ndërsa shihte fshatarët e tjerë duke u fyer e poshtëruar. M’u duk si një zvarranik i neveritshëm e i lagësht. E identifikova menjëherë me Uriah Hipin, personazhin e shkëlqyer të Çarls Dikensit, romanin e të cilit, “David Koperfild”, sapo kisha përfunduar së lexuari. Të parët që u drejtuan për në punë ishin prindërit e mi dhe disa të moshuar.

Meqë i kishin kaluar të dyzetat, ata bënin pjesë në skuadrat e pleqve. Proceset e punës që iu besoheshin atyre ishin më pak rraskapitëse sesa ato të të rinjve. Duke e ndihmuar mamanë pasditeve, disa prej atyre punëve i kisha provuar vetë. Nuk shpreha asnjë çudi. Dyzetvjeçarët e atij fshati dukeshin shtatëdhjetëvjeçarë. Jeta e mundimshme i bënte që të plakeshin e të shkatërroheshin para kohe.


Shtuar 26.07.2026 08:22

matbetholiganbetJojobetBetpasPusulabet girişPusulabetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetstarzbetStarzbetjojobetbetwooncasibomcasibomcasibomgrandpashabetmatbetsultanbeyli escort