Kosova siguron medaljen olimpike, xhudistja Distria Krasniqi kalon në finale

Që në ditën e parë të garave në Lojërat Olimpike, Kosova ka siguruar medalje. Është Distria Krasniqi që ka siguruar medaljen e parë për vendin në ngjarjen më të madhe sportive.

Distria është në finale të kategorisë deri 48 kilogramë në xhudo dhe kështu e ka të sigurt medaljen. Ajo në gjysmëfinale e mposhti mongolezen Urantsetseg Munkhbat. Ndaj saj fitoi me “Waza-Ari” të cilin e realizoi në mes të lufës.

Kosova për herë të dytë po paraqitet në Lojërat Olimpike. Në Rio 2016, Majlinda Kelmendi fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë. Tani medalje ka edhe Distria, por synim i saj natyrisht është e arta.

Kosova synon edhe medalje tjera në xhudo, ndërsa tashmë ka lënë shumë vende prapa sa i takon suksesit olimpik, ndonëse me vetëm dy pjesëmarrje. Kjo falë suksesit të nxënësve të trajnerit Driton Kuka, njërit prej më të mirëve në botë sa i takon sportit të xhudos.

Në finale, Distria takohet me japonezen Funa Tonaki. Ajo pas një lufte shumë të fortë e mposhti ukrainasen Dariya Bilodid.


Shtuar 24.07.2021 11:11