Përparim Rama, kryetari i Kryeqytetit, e ka cilësuar deklaratën e një ministreje të qeverisë serbe si shprehje të hapur të një ideologjie që nxit dhe përkrah luftërat, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit.
Të lidhura
None found
Ministrja kishte deklaruar se, sikur të ndodhej në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Sipas Ramës, kjo deklaratë përbën fyerje për qytetarët e Kosovës, ndërsa njëkohësisht relativizon dhe legjitimon një nga krimet më të rënda të njohura nga e drejta ndërkombëtare.
“Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë, për një nga aktet më makabre e kriminale të shekullit të kaluar. Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik. Prandaj, çdo heshtje përballë një deklarate të tillë është një precedent i rrezikshëm. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota demokratike duhet ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të përgjigjen “me qartësi, dinjitet dhe vendosmëri”.
